Trashi: Starova gënjen, më ka ofenduar rëndë

0

Drama e fundit te Partizani lidhet me sherrin absurd mes Sulejman Starovës dhe Lorenc Trashit në Antalia, pasditen e djeshme. Zëvendësim gjatë miqësores kundër Berliner AK, një debat që degjeneroi në ofendime mes njëri-tjetrit dhe lojtari më i aktivizuar këtë sezon te të kuqtë dhe titullar i paprekshëm prej vitesh krejt papritur del i tepërt. Starova turfulloi pas ndeshjes se nuk dëshiron ta shohë më në ekip, duke e urdhëruar të largohet edhe nga hoteli, ndërsa akuzon Trashin se ka hedhur fanellën në tokë.

E vërteta sipas Trashit është ndryshe. Nuk ka pasur hedhje fanelle, ka pasur debat, por ofendimet i ka nisur Starova, që sipas mesfushorit ka mllefe të vjetra me të. Për newsport.al Trashi tregon versionin e tij të ngjarjes.

Profesor Starova për të justifikuar veten ka shpikur shumë fjalë që s’janë të vërteta. Në radhë të parë unë s’i jam drejtuar me tone të larta atij, po e kundërta. Jam ulur në pankinë shumë i qetë dhe i kam folur tamam. “Profesor pse s’më le dhe pak të merrja pak përgatitje?” Se më ka zëvendësuar në minutën e 60-të dhe jo 75-të siç thotë ai. Në atë moment ai më është kthyer me tone të ashpra, që do të thotë se mezi ka pritur një debat me mua. Profesor Starova mos të bëjë tani si shenjtor. Kur Partizani s’ka kontingjentin e duhur të lojtarëve dhe shprehet që unë si trajner s’i kam thënë të largohet nga ekipi. Ai është shprehur shumë qartë dhe aty kanë qenë shumë lojtarë dhe stafi bashkë për të vërtetuar gjithçka që ai ka thënë kundrejt meje.

“Ma qëroni nga hoteli, nuk dua ta shoh më në ekip”. Pasi ka thënë kështu, unë jam çuar dhe i kam thënë: “Profesor, qëndroi besnik fjalëve që po thua. Nëse je burrë thuaja edhe presidentit në sy tim, që nuk e dua më Trashin. Edhe ai e ka pranuar duke më thënë “OK”.

Më pas i dhashë dorën, ai më refuzoi. “Mos ma jep as dorën tha”, edhe unë vazhdova drejt dhomave të zhveshjeve. Teksa po largohesha ai nuk e la me kaq, por vazhdoi të më ofendonte nga fjalë më të ndyrat. Më ka ulur dhe më ka fëlliqur në sy të shokëve e stafit.

Iu ktheva në atë moment dhe hoqa bluzën. Ia lashë te pankina. Absolutisht nuk e kam hedhur. E hoqa dhe i thashë: “Për këto fjalë që më the, unë dhe ti e kemi mbyllur”.

Dua t’i drejtohem profesor Starovës duke i thënë që mos të justifikojë veten te tifozët e te presidenca. Mos të shfajësohet ndaj publikut me arsyen se Trashi ka hedhur fanellën, se ka shumë njerëz aty që e vërtetojnë këtë gjë. Ofendimet e Starovës kundrejt meje janë një mllef i mbledhur prej kohësh. Më në fund ia arriti qëllimit, ta nxirrte atë mllef. Është shumë e thjeshtë, kur nuk e do një lojtar, pse nuk i thua presidentit: “Nuk e dua në ekip Trashin, s’më shërben për asgjë”, dhe unë shoh karrierën time.

Gjithsesi, unë personalisht e quaj të mbyllur me Starovën. Nuk tërhiqem aspak pas, çfarëdo lloje mase të merret kundër meje. Edhe një gjobë, unë absolutisht nuk e pranoj, sepse jam me të drejtë dhe s’lejoj njeri ta mohojë këtë gjë. Kur kam qenë gabim, kam qenë unë ai që i kam kërkuar falje profesorit. Por, tani jo më! Është totalisht gabim. Më ka ofenduar shumë rëndë”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.