Tramexani fiton për ditëlindje, debuton Ermir Lenjani

Para 3 ditësh Sioni u turpërua duke humbur 3-0 në Lituani ndaj Suduvas, në Ligën e Europës. Megjithatë, autokritika erdhi sot, sepse Sioni fitoi 1-0 në Lozanë, me një gol të shënuar në minutën e 33-të nga Shnojvli, një ndër afrimet kryesore të verës.

Fitore e rëndësishme për Sionin, që është me pikë të plota pas dy ndeshjeve të para të kampionatit, ndërkohë që në minutën e 69-të trajneri Tramexani hodhi në fushë edhe Ermir Lenjanin, i cili duket se është që tani gati fizikisht, edhe pse ka firmosur vetëm pak ditë më parë.

Një fitore e bukur për Tramexanin, jo thjesht se fshiu humbjen europiane, por edhe sepse ishte ditëlindja e tij e 47-të.

Ndërkaq, Bazeli fitoi 3-1 ndaj Lucernës, me Taulant Xhakën që qëndroi 90 minuta në stol. Ishte fitorja e parë në kampionat për Bazelin, që u mund javën e shkuar.

Fiton sërish edhe FC Zyrihu, 2-1 ndaj Tunit, me përmbysje. Skuadra e Burim Kukelit është me pikë të plota pas dy ndeshjesh dhe Kukeli ishte sërish titullar, duke luajtur mjaft mirë dhe duke marrë edhe një karton të verdhë në pjesën e parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *