Një skandal seksual ka prekur futbollin ekuadorian. Luis Peskarolo mban rolin e trajnerit të kombëtares së femrave. Deri dje, pasi Federata e vendit latin (FEF) ka vendosur ta shkarkojë atë dhe dy anëtarë të stafit të tij, duke i cilësuar si shumë të rënda akuzat kundrejt tij.
Peskarolo akuzohet për ngacmim seksual kundrejt vajzave të ekipit. Ai ishte përgjegjës për skuadrat përfaqësuese U17, U18, U20 si dhe mbulonte rolin e mjekut e përgatitësit fizik.
Maria Antonela Guerrero Fuentes ka qenë futbollistja që ka denoncuar trajnerin. Sipas raportimeve të “El Comercio”, faktet në fjalë kanë ndodhur në muajin maj të vitit të kaluar dhe mars të këtij viti. Trajneri dërgonte edhe mesazhe erotike lojtarëve të kombëtares. Peskarolo ka mohuar çdo akuzë, duke i cilësuar fjalët si sulme ndaj stafit teknik.
“Gjatë periudhës maj-qershor të vitit 2018, skuadra kombëtare e femrave ishte grumbulluar për t’u përgatitur për lojërat Odesur. Trajneri nisi të më dërgonte mesazhe në telefon. Më thoshte se isha një kukull dhe se kisha një trup shumë të bukur. Një ditë më kërkoi që të qëndronim vetëm. Papritur filloi të më kapte për krahu, ndërsa në stërvitje më ulërinte. Më detyronte që të thoja fjalë pozitive për të: të tipit që ishte më i miri e kështu budallaqesh. Më detyronte t’i dërgoja foto dhe mos t’i tregoja askujt. Një ditë më kërcënoi. Më tha se do të më përjashtonte nga kombëtarja nëse i tregoja ndokujt. Në fund, gjatë një udhëtimi që po bënim për Macas për një ndeshje, ai hyri në dhomën time dhe nisi të më prekte…”, përfundon Maria Fuentes.