Verë, viti 1996, Kristian Panuçi ishte në kulmin e karrierës, 23 vjeç, titullar te Milani, e donte Reali. Ishte viti i Lojrave Olimpike 1996, në Atlanta: Panuçi ishte kapiten i Italisë, por pikërisht para startit të Lojrave pësoi një dëmtim serioz.
U detyrua të kthehej para kohe në Itali, prenotoi edhe fluturimin, nga Nju Jorku në Romë, nëpërmjet Parisit. Ishte 17 korrik 1996, po bëhej gati të ngjitej në avion, me biletën në dorë, kur e njoftuan se nuk po gjendeshin bagazhet nga Atlanta. Ndërsa priste e kërkonte valixhet, duke u ankuar se po e prisnin për operacionin urgjent në gju, i thanë që ishte edhe një fluturim direkt me Alitalia pak më vonë, që e çonte drejt e në Milano. Natyrisht, Panuçi zgjodhi fluturimin e dytë. Ishte zgjedhja e jetës: atë ditë avioni që duhej të merrte fillimisht, TWA 800, u rrëzua dhe 230 pasagjerët që udhëtonin në të vdiqën.
Dy ditë më vonë, Panuçi deklaronte i tronditur: “Është e vërtetë, në atë avion duhej të isha unë. Kam shpëtuar për mrekulli, isha duke u ngjitur në atë avion dhe tani nuk do e jepja këtë intervistë”.
E quajtën të pafatin e madh, kur u mor vesh lajmi për dëmtimin që e la jashtë Olimpiadave, që e detyroi të operohej dhe të humbiste fillimin e sezonin pasardhës
“Kur zbrita në Malpensa, pashë një ‘hostess’ që po qante dhe e pyeta çfarë kishte ndodhur, kur më tregoi që avioni i linjës Nju Jork-Paris kishte shpërthyer në fluturim. Ishte avioni im, gati më la zemra. Deri në atë moment kisha menduar vetëm për gjurin tim, më pas ndryshoi gjithçka, e kuptova sa me fat isha”.