Trajneri i Fulham-it e ka personale me Armando Brojën, nuk i jep asnjë minutë kundër Liverpool-it

Huazimi në Fulham rezultoi një zgjedhje e gabuar për Armando Brojën. Pavarësisht këmbënguljes së klubit londinez për ta pasur pjesë të organikës së tyre, sulmuesi shqiptar i ka pasur minutat me pikatore. Nëse në javat e tij të para zgjedhja e trajnerit për të aktivizuar Munizin ishte e kuptueshme, duke qenë se braziliani po shënonte çdo ndeshje, tashmë kjo alibi ka rënë poshtë. Munizi prej disa javësh nuk po gjen dot rrugën e rrjetës, por sërish Armando Broja nuk shihet në fushën e lojës. Madje provoi edhe tribunën si një zgjedhje teknike të trajnerit Silva.

Kreu i pankinës së Fulham-it deklaroi se me rikthimin e Gimenez-it nga dëmtimi kishte vend vetëm një sulmues tjetër në pankinë. Por në përballjen me Newcastle-n Silva përgënjeshtroi vetveten, teksa aktivizoi si Gimenez-in, ashtu edhe Brojën njëkohësisht. Çështja duket se është personale mes trajnerit dhe lojtarit shqiptar, që edhe sot e ka ndjekur nga stoli humbjen e skuadrës së tij kundër Liverpool-it. Mbetet për t’u parë nëse situata do të ndryshojë në 4 ndeshjet e fundit të Premier League-s. Megjithatë, duket e vështirë që Silva t’i japë mjaftueshëm minuta Brojës./Sport Ekspres/