Toti prezanton autobiografinë, detaje të tjera rreth zënkave me Spaletin

Françesko Toti sot feston ditëlindjen e tij të 42-të. Për italianin nuk do të jetë një ditëlindje si gjithë të tjerat. Pikërisht ditën e sotme ish-kapiteni legjendar i Romës do të prezantojë autobiografinë e tij me titullin “Një kapiten”.

Të ftuar do të jenë shumë miq edhe kolegë të Totit, por ajo që bie në sy është se nuk do të jetë i ftuar, ish-trajneri i Romës dhe i Totit njëkohësisht, Luçiano Spaleti. Polemikat midis të dyve kanë një zanafillë të largët, që në vitin e kaluar, kur Toti u tërhoq nga futbolli i luajtur dhe Spaleti ishte në krye të Romës.
Kanë qenë të shumta përplasjet midis tyre, duke nisur që tek ndeshja ndaj Palermos shkurtin e vitit 2016, duke vijuar me rinovimin e Totit dhe gjithashtu debati i ashpër në Bergamo në fushën e Atalantës. Pikërisht polemikat e shumta ndaj Spaletit, ish-numri 10-të i Romës, i ka zbuluar në librin e tij.

Ai gjithashtu zbuloi një pjesë nga debati që kishte në vitin 2016 me teknikun, ku Spaleti e ka konsideruar  kapitenin si gjithë të tjerët dhe se nuk është i pazëvendësueshëm. Replika e Totit ndaj teknikut ka qenë po në tone të njëjta duke e quajtur Spaletin frikacak ndër të tjera.
“Je si gjithë te tjerët, nuk je i pazëvendësueshëm. Ke gabuar dhe tani duhet të ikësh në shtëpi”, kanë qenë fjalët e Spaletit sipas ish-sulmuesit.
Ndërsa Toti i është përgjigjur: “Frikacak, tani që nuk të nevojitem më, thua që nuk jam i pazëvendësueshëm?”

Legjenda romaniste ka zbuluar dhe një debat tjetër të ashpër që ka ndodhur përsëri mes tij dhe Spaletit në sfidën ndaj Atalantës. Debati mes dyshes duket se ka ndodhur në dhomat e zhveshjes. Sipas Totit të bërtiturat në ato çaste janë dëgjuar aq shumë sa edhe lojtarët e Atalantës kanë arritur të dëgjojnë çdo gjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *