Totenhem, Roma dhe Perishiç, Spaleti: Babai i Martinez po dëmton djalin e vet!

Të dielën në darkë, Interi udhëton drejt Romës për t’u ndeshur me ekipin e Di Françeskos. Një përballje e veçantë për Luçiano Spaletin, i cili ka drejtuar Romën për 5 vite në dy periudhe të ndryshme.

Komentet e Ivan Perishiç, i cili ka ripohuar dëshirën e tij për të luajtur në Premier Ligë, kanë trazuar ambientin, njësoj si deklarata thumbuese e babait të Lautaro Martinez, i cili shigjetoi dhe kritikoi Spaletin për mos aktivizimin e lojtarit argjentinas.

Trajneri i Interit i shpjegon qartë situatat e dy lojtarëve. Mirëkuptim për kroatin, ndërsa ndryshon puna për sulmuesin argjentinas. Interi zhvilloi një takim të mirë me Totenhemin, por vëmendja shkon për Romën. Gjithnjë kënaqësi për trajnerin të rikthehet në Romë, ndërsa ai e mbyll prononcimin e tij me nga një koment për Raxha Naingolan, të cilin po e ndjekin dëmtimet njëri pas tjetrit, dhe Françesko Totin.

PERISHIÇ-MARTINEZ – “Ivan ka thënë gjëra normale. Për raportin që kam me të dhe për mënyrën se si qëndron me ne, sipas meje është i lumtur që bën pjesë në këtë grup dhe këtë klub. Sa i përket Martinezit, nga familja e tij njoh vetëm Lautaron. Rëndësi ka që ai e kupton se babai i tij duke dashur të më sulmojë mua, realisht sulmon Interin dhe krijon probleme dhe për djalin e tij, sepse përfundon duke dëmtuar imazhin e tij dhe raportin e tij me shokët e skuadrës.”

Lautaro me babanë e tij, Mario Martinez

“Për t’u bërë i fortë duhet të menaxhosh vetën, por dhe njerëzit rreth e rrotull teje. Klubet e mëdha përpiqen të mos kenë probleme të tilla. Lautaro nuk ka nevojë për mbrojtjen e askujt, sepse është burrë, nuk është fëmijë. Nuk u jap rëndësi këtyre gjërave, por në grup diskutohen gjithmonë gjëra të tilla.”

ROMA – “Më pëlqeu skuadra kundër Totenhemit. Luajtëm më mirë se në Itali, por kur ke kampionë përballë mund ta humbasësh ndeshjen dhe nga një episod i vetëm. Le të mendojmë për kampionatin. Është kënaqësi të rikthehem në një qytet ku kam jetuar disa vite me të cilin jam shumë i lidhur. Do të shkojmë të luajmë ndeshje me qetësi. Kemi akoma mundësi për t’u kualifikuar në Champions, në një nga grupet më të forta, por tani duhet të përmirësojmë renditjen e rëndësishme që kemi në kampionat.”

NAINGOLAN – “Raxha pësoi një dëmtim në fazën përgatitore, ndërsa shqetësimet nuk i janë ndarë dhe më pas. Djali është i mërzitur për faktin që nuk po jep dot kontributin që dëshiron të japë, por duhet treguar kujdes me gjendjen e tij.”

TOTI – “Nuk e kam lexuar akoma biografinë e tij, por do e bëj me qetësi, sepse, siç kam dëgjuar nga ju, ka disa gjëra që duhen sqaruar. Gjithsesi, në Romë kam kaluar shkëlqyer me një grup të madh lojtarësh dhe Françesko ishte njëri prej tyre. Do e përshëndes, nëse do e takoj.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *