Arsenali duket se ka vendosur t’i japë duart mbrojtësit të kombëtares gjermane Shkodran Mustafi vetëm 12 muaj pasi e afroi nga Valencia për 35 milionë sterlina. “Topçinjtë” janë të hapur për bisedime me Interin, Juventusin apo çdo klub tjetër për shitjen e mbrojtësit, por klubet kandidate duhet të përmbushin kërkesat financiare të londinezëve.
Arsenali shpreson të arkëtojë një shumë të përafërt me atë që shpenzoi për blerjen e Mustafit. Mbrojtësi pati një fillim të shkëlqyer të sezonit në “Emirates Stadium”, por paraqitjet e tij u zbehën në pjesën e dytë të sezonit, ku një rol të rëndësishëm luajtën dhe dëmtimet.
Tani Arsenali dëshiron ta largojë vetë mbrojtësin, i cili mund të mos jetë i vetmi që do të lërë klubin në verë. Aleks-Okslejd Çambërlein është një tjetër profil i rëndësishëm, i cili kërkon largimin, pasi ka refuzuar firmën me klubin, me Çelsin dhe Liverpulin të interesuar për të.