Tomori zbret në fushë, miqësorja ndryshon stadium

Ishte rënë dakord dhe ishte vendosur qysh javën e kaluar midis drejtuesve të dy skuadrave, që ndeshja miqësore midis Tomorit dhe Albpetrolit do të zhvillohej ditën e mërkurë në fushën e stadiumit “Alush Noga” të Patosit.

Gjithsesi, nga komunikimi i zhvilluar mes palëve në orët e pasdites së ditës së martë, drejtuesit e Tomorit janë njoftuar nga homologët e tyre të Albpetrolit, se për shkak të ngricave dhe kushteve të një moti me reshje, fusha e Patosit nuk mund të përballojë një ngarkesë të tillë me ndeshje miqësore, të cilat kanë qenë në një numër të konsiderueshëm gjatë periudhës së pushimeve dimërore. Për këtë arsye u kanë kërkuar drejtuesve të Tomorit që kjo miqësore të zhvillohet po ditën e mërkurë në Berat.

Megjithëse vetë drejtuesit beratas kanë synuar që ta përshtatin skuadrën në ndeshje transferte, me synimin për ta ambientuar skuadrën dhe përshtatur me ndeshjen e 2 shkurtit ndaj Turbinës në Cërrik, kanë pranuar me shumë kënaqësi që ta presin Albpetrolin në shtëpi ditën e mërkurë.  Sportdashësit beratas janë të interesuar për të parë skuadrën e riformatuar dhe skemat e teknikut të ri dhe ambicioz të Tomorit, Santiliano Dule.

EDI SPAHIU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *