Tomori barazon, debati Dule-Kaloshi “eklipson” miqësoren

Albpetroli ndal Tomorin në shtëpi, në një ndeshje që u mbyll në barazim 1-1. Një debat verbal në minutën e 9-të mes teknikut Dule dhe portierit Kaloshi, i cili kundërshtoi udhëzimet e kreut të pankinës, tërhoqi vëmendjen. Trajneri beratas nuk e fali dhe e zëvendësoi menjëherë.

SHERRI – Pas një aksioni të rrezikshëm të miqve, që për pak sa nuk kanë shënuar në portën e Tomorit, tekniku Dule i ka tërhequr vëmendjen gardianit Kaloshi për të marrë masat që të mos rrezikonin që të pësonin. Portieri lushnjar i beratasve, jo vetëm që nuk e ka dëgjuar këshillën e teknikut, por në të njëjtën kohë edhe e ka kundërshtuar atë për tonet e larta.

Kaq i është dashur teknikut të Tomorit, i cili në moment e largoi nga fusha portierin e njohur dhe me eksperiencë. Që në minutën e 9-të u hodh në fushë portieri i dytë Braçe. Në përfundim të takimit tekniku Dule ka marrë vlerësime dhe mbështetje nga sportdashësit beratas për ndëshkimin që i bëri portierit. Vetë trajner, për “sportekspres.com” ka komentuar ngjarjen e ndodhur.

“Një portier me eksperiencë si Kaloshi duhet që të reflektojë me përgjegjësi ndaj një kritike të drejtë, sepse një gabim i tij në një rast të tillë në kampionat na kushton humbjen e ndeshjes. Nga ana ime, çdo sjellje jokorrekte do të ndëshkohet me përjashtim nga loja. Fryma e kolektivitetit dhe mbi të gjitha imazhi i skuadrës, është më i rëndësishëm nga tekat apo sjelljet e pahijshme të cilitdo futbollist, qoftë ky edhe Kaloshi”, u shpreh Dule.

NDESHJA – Takimi u zhvilluar nën nivelin mesatar, kjo edhe për shkak se të dy skuadrat janë në përgatitje e sipër dhe ende nuk janë gati për kampionatin. Beratasit janë shtangur qysh në fillim nga miqtë, të cilët realizuan që në minutën e 19-të. Mandia realizoi pas një aksioni model.

Ndërsa nga ana e tyre, të besuarit e teknikut Dule kanë shfaqur grintë dhe agresivitet në fazën sulmuese. Pas një presingu të gjatë, vendasit gjejnë baraspeshën në minutën e 45-të, teksa një goditje dënimi e kapitenit Paja u ndoq nga Dervishi dhe ky i fundit realizoi bukur. Rezultati u barazua në 1-1. Mbrojtësi Hoxha më parë kishte goditur shtyllën, ndërkohë që rezultati nuk ndryshoi deri në fund edhe pse rastet për shënim nuk kanë munguar në të dy portat respektive.

Tomori-Albpetrol 1-1
Shënues:
Dervishi 45′ / Mandia 19′

Tomori: Kaloshi, Hoxha, Dore, Shaqe, Paja, Sharavolli, Kumani, Koleci, Dervishi, Drabo, Obgodike. Tr: S. Dule. U aktivizuan: Brace, Hadaj, Gjonaj, Mahmutaj, Sundai, Dyca, Qëngji, Galica.

Albpetrol: Basholli, Kapo, Hatia, Sako, A. Prifti, I. Lalaj, A. Lalaj, Hënza, Asmetaj, Mandia, Muhametaj, Kumanaku. Tr: E. Dëmiraj. U aktivizuan: Muharemi, Nasto, Siqeca, Miti, Cerraga, Balla, Fasko, Beshiri.

Gjyqtarë: M. Dyrmishi, E. Aliaj, K. Hitollari (Poliçan)

Kartonë të verdhë: Hënza 18′ Kapo 81′

EDI SPAHIU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *