Tjetër sinjal pozitiv për Kastriotin, Kukësi rikthehet te fitorja

Ndërprerja e kampionatit nuk do të thotë pushim absolut për skuadrat e Superiores, të cilat kanë menduar që të organizojnë ndonjë miqësore, për shkak se trajnerët nuk duan që skuadra të humbasë ritmin. Ekipi i parë që ka zbritur në fushë ka qenë Kastriotit, që mesditën e sotme ka sfiduar Ilirinë. Ndeshja u luajt në Krujë, çka për tifozët ishte diçka pozitive, kjo për shkak se Kastrioti i luan ndeshjet si pritëse në Fushë-Krujë.

Pas fitores ndaj Kamzës, Nica ka marrë një tjetër sinjal pozitiv, teksa të besuarit e tij kanë mundur minimalisht skuadrën e Ilirisë. Ndonëse pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola, në fraksionin e  dytë ishte Jurgen Vatnikaj që gjeti rrugën e rrjetës, duke vendosur fatin e këtij takimi.

Kastrioti ndodhet në vendin e fundit në klasifikim pas 13 javësh, por suksesi i arritur ndaj Kamzës i ka rifutur në garën për mbijetesë, pasi në lojë janë ende shumë javë. Nica ka pak kohë që e ka marrë skuadrën dhe ndeshja e sotme i ka shërbyer shumë skuadrës për t’u përshtatur me idetë e trajnerit.

Kastrioti 1-0 Iliria
Shënues: Vatnikaj

KASTRIOTI: Puja, Husein, Shehi, Çela, Stijepoviç, Domgjoni, Okebugu, Ymeraj, Shehu, H.Marku, Enoh. Trajner: Stavri Nica

ILIRIA: Demi, Boçi, Hoxha, Sala, Gjokeja, Balloku, Zuna, Kurti, Turkaj, Xhaferri, Xhymerti. Trajner: Fatmir Sala.

Kukësi në anën tjetër ka arritur që të fitojë minimalisht në miqësoren me Lirinë e Prizrenit. Skuadra e Cungut u rikthye pas shumë kohësh në “Zeqir Ymeri”, duke gëzuar në një farë mënyre me suksesin e arritur, ndonëse në një miqësore.

Valon Ethemi shënoi që në pjesën e parë, me rezultatin që nuk ndryshoi deri në fund të takimit. Është bërë një traditë e përvitshme takimi i Kukësit me Lirinë, pasi edhe në vitin e shkuar këto dy ekipe janë takuar disa herë me njëra-tjetrën.

Kukësi 1-0 Liria
Shënues: Ethemi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *