Labinot Ibrahimi është një nga futbollistët e afruar te Partizani që kur të kuqtë u rikthyen në elitë. Sivjet ai mund të gëzojë titullin kampion. Një ditë më parë “demat” triumfuan kundër Skënderbeut, duke lënë pas krahëve humbjen e pësuar nga Luftëtari dhe eliminimin nga Kupa e Shqipërisë.
Ibrahimi është modest edhe në deklarata. Kur i thuhet që bënë një ndeshje të mirë dhe se bllokoi Dejvi Bregun, ai devijon: “Është e vërtetë që bëmë një super ndeshje, por duhet të jemi me këmbë në tokë. Do e harrojmë që sot Skënderbeun, kemi ndeshje të tjera dhe do i marrim një e nga një. Sa për ndeshjen, foli fusha vetë”.
Partizani e kishte detyrim triumfin me korçarët dhe Ibrahimi këtë e pranon: “Nuk na lejohej asnjë gabim. Çdo gabim na ulte moralin dhe gjithçka. Kështu që fitorja na duhej patjetër. Ishte shumë e rëndësishme të fitonim, gjithsesi e përsëris që duhet të jemi me këmbë në tokë”.
A është viti i duhur për titullin kampion? “Labi” nuk është nga ana që nxitohet, as në fushë, as jashtë saj. “Nuk ka përfunduar ende, ka ndeshje akoma. Të shohim deri në fund. Duhet t’i marrim një e nga një, siç e morëm Skënderbeun. Të gjitha avash-avash. Ka kohë deri te titulli”, shton mbrojtësi i djathtë.
Skënderbeu i këtij sezoni ka shumë ndryshim me atë të viteve të mëparshme, edhe pse Ibrahimi ka mendim tjetër. “Të them të drejtën ai Skënderbe është. Dy-tre lojtarë u kanë ikur, është ai ekip që ka qenë”, u shpreh futbollisti i të kuqve.
Para pak ditësh, ishte ish-trajneri Sulejman Starova ai që u shpreh se Partizani i para dy viteve, që për pak e fitoi titullin, ishte si nata me ditën me këtë ekip. Tekniku aktual i Laçit veçonte Ekubanin dhe Torasën. Ibrahimi ka qenë edhe vetë në atë ekip, por sigurisht e ka pak të sikletshme të mbajë linjën e “Bobit”
“Nuk e di. Profesori ka mendimin e vet, ndoshta. Unë mendoj ndryshe, por e di profesori më mirë”, shprehet me diplomaci Ibrahimi. Gjithsesi më pas është i drejtpërdrejtë. “A do doje që titullin kampion ta siguronit matematikisht në derbi? Ajo do ishte kënaqësia më e madhe”, përfundoi mbrojtësi 32-vjeçar, i cili numëron më shumë se 150 ndeshje në Kategorinë Superiore.
VLADIMIR PRENGA