“Titulli kampion kundër Milanit do të ishte çmenduri”, Çalhanoglu thumbon kuqezinjtë: Nuk e kam harruar se si festuan ata

Titulli kampion është thjesht një çëshje kohe për Interin, që është shkëputur ndjeshëm në krye të tabelës. Zikaltrit mund t’i dhurojnë tifozëve të tyre një lumturi të dyfishtë më 22 prill, kur do të kenë mundësinë të shtojnë yllin e dytë në fanellë pikërisht kundër Milanit. Hakan Çalhanogluja ka pranuar për “CBS Sports” se i pëlqen një skenar i tillë, ndërsa nuk nguron të thumbojë kuqezinjtë.

Mesfushori turk është shprehur se i ka ende të freskëta festimet e lojtarëve të Milanit kur fituan titullin kampion. Zllatan Ibrahimoviçi i kërkoi tifozëve të dërgonin mesazhet e tyre në drejtim të Çalhanoglusë, i cili asokohe la Milanin për të veshur fanellën e Interit. Mesfushorit 30-vjeçar i kanë lënë një shije të hidhur këto festime dhe e ka bërë të qartë se ai do të tregohet i përmbajtur kur të marrë trofeun në duart e tij.

“Fitimi i kampionatit kundër Milanit? Do të ishte një çmenduri! Megjithatë të qendrojmë me këmbë në tokë. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Mbi të gjitha, shpresoj që do të jetë një ndeshje e mirë dhe e drejtë. Shpresoj që edhe festimet do të jenë të qeta, sepse ende më kujtohet se si festuan kuqezinjtë në të shkuarën. Kështu që dua të qendroj i qetë”, ka thënë Hakan Çalhanogluja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/