Tirana, pas humbjes në derbi duhet të bëjë autokritikë. Fitorja me Kastriotin është detyrim, në mënyrë që bardheblutë të mos rrezikojnë seriozisht rënien nga Superiorja. Situata nuk është e mirë dhe në kampin e Tiranës presioni është i madh.
Në ndeshjen me krutanët drejtuesit kanë menduar të mos paguajnë gjobën që do të rikthente tifozët në stadium. Nuk është thjesht çështje financiare, edhe pse 5 milionë lekë nuk janë një shifër e vogël. Ekziston frika që mund të ketë edhe ndonjë trazirë, ndaj edhe lojtarët duhet ta fitojnë vetë këtë ndeshje. Është detyrim.
GRUPI I LOJTARËVE – Ditën e djeshme është stërvitur normalisht edhe Dorian Kërçiku. Mbrojtësi i djathtë mungon prej disa javësh për shkak dëmtimi dhe tanimë ka nisur punën me grupin. Në mungesë të Karabecit, ai mban edhe shiritin e kapitenit dhe ndaj Kastriotit pritet më shumë mundësi si titullar nga fillimi.
Në seancën e djeshme stërvitore kanë shfaqur probleme dy futbollistë. Bëhet fjalë për mesfushorët Edon Hasani dhe Asion Daja, të cilët kanë punuar veçmas grupit. Për të dy nuk ka probleme madhore dhe pritet që të jenë gati për ndeshjen e së shtunës.