Bardheblutë marrin vendim që të shtyjnë pagesën e lojtarit, duke fituar për momentin kohë
Olsi Avdiaj
Kthehen borxhet sportive te Tirana! Duan apo s’duan drejtuesit e Tiranës, situata e borxheve ndaj lojtarëve është përkeqësuar. Së fundmi, “mali i parave”, që duhet të paguajnë ndaj Gjergji Muzakës, i ka komplikuar jo pak gjërat te bardheblutë. Gjithsesi, është pothuajse i sigurt, një fakt. Tirana ka vendosur që të mos paguajë paratë ndaj lojtarit Gjergji Muzaka.
Zyrtarisht, klubi dhe lojtari nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje dhe kështu Tirana do të pranojë pasojat. Tirana ka marrë një vendim përfundimtar. Nuk do të paguajë lojtarin në kohë. Kjo do të thotë se klubi kërkon të marrë sa më shumë kohë në dispozicion për të paguar lojtarin në fillim të sezonit, ose në momentin që në arkat e klubit do të futen para. Gjithçka është konfirmuar edhe nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Nga kjo e fundit është bërë dje me dije, se akoma mes palëve nuk ka ndonjë marrëveshje.
Gjergji Muzaka ka refuzuar pagesën me këste dhe kështu Tirana nuk ka çfarë të zgjedhë, vetëm të pranojë verdiktin e Komisionit të Disiplinës. Në të tilla raste situata është shumë e thjeshtë. Tirana do të ndëshkohet me heqjen e tri pikëve në këtë kampionat do t’i jepet një afat i ri për shlyerjen e lojtarit. Nëse nuk shlyhet sërish lojtari, atëherë do të ketë një dënim të dytë. Sigurisht, jo në renditjen e Kategorisë së Parë, por do të hiqen pikë nga renditja e sezonit të ardhshëm dhe bardheblutë do ta nisin kampionatin në Superiore me minus tre pikë. Të gjitha këto janë opsione. Mbetet për t’u parë se cilën nga opsionet do të pranojnë bardheblutë, por edhe Muzaka.
Borxhet – Gjithsesi, duke lënë pas problemet që ka klubi Tirana me financat, duket se retë e borxheve sportive po duken te bardheblutë. Edhe pse ishin zeruar 95% e borxheve të këtij lloji, Tirana po sheh sërish çështje të tilla. Veç Muzakës, mund të ketë ndonjë çështje Binguila, i cili ka braktisur ekipin dhe nuk dihet si janë mbyllur marrëdhëniet financiare. Edhe për Moisenë ka hije. Pra nga një tentativë për të rregulluar bilancet sportive, Tirana e sheh sërish veten me borxhe. Për të mos folur më pas, për para që përfliten se janë marrë paradhënie në FSHF dhe që duhet të kthehen.