Ze Maria shtrëngoi duart sot me presidentin Refik Halili dhe mbylli bashkëpunimin me bardheblutë. Te Tirana i kish prirë gjërave dhe trajneri i ri ishte gjetur. Pa shumë eksperiencë, por bardheblu “24-karatësh”.
Ardian Mema ka lënë Flamurtarin dhe tashmë ka marrë drejtimin e Tiranës. Ka punuar edhe më parë kryeqytetasit, si zëvendëstrajner kryesisht. Gjithashtu ka drejtuar edhe Tiranën B në të shkuarën. Tani erdhi momenti të bënte hapin e madh si trajner.
Si lojtar është nga ata që kurrë nuk ndryshoi fanellë. Detyra e marrë përsipër nuk është e lehtë. Vjen me një eksperiencë të rëndësishme te Skënderbeu si krahu i djathtë i Ilir Dajës, ndërkohë që e shoqëroi atë edhe në Vlorë.
Tani janë ndarë dhe fundjavën e ardhshme do të jenë rivalë. Tirana luan me Flamurtarin në Vlorë dhe Mema do të sfidojë Dajën. Ka nisur nga puna, teksa sot ka dalë në stërvitje dhe i duhet të njohë sa më parë ekipin. Nga ana tjetër të gjithë presin rikthimin te rezultatet pozitive. Zyrtarisht jemi në epokën “Mema”.