Kush është lidhja e klubit më të titulluar në vendin me kontinentin “e zi”. Një marrëdhënie që ka nisur që në 2011. Kush është mbrapa kuintave, nga vijnë lojtarët, sa janë pagesat dhe projekti për t’u shitur
Në 20 korrik të këtij viti Hektor Çomo preu një biletë avioni për Uganda. Tori – si ndryshe e njohin në ambientin e futbollit bardheblu – është një personazh shumë interesant, në përgjithësi i nënvlerësuar dhe me një profil mediatik të ulët. “Nuk është pa gjë”, të thotë presidenti i Tiranës, Refik Halili, duke të shkelur syrin. Tori qesh dhe sheh si i habitur. “A e dini ju që Rubion e solla unë?”. Nga Uganda në Spanjë? Cfarë ka ndodhur?
Në 2011 Hulian Rubio, trajneri që më pas fitoi 3 trofe në Shqipëri, zbarkoi në kryeqytet. 3 mijë euro në muaj rrogë dhe pagesa për shtëpinë dhe linjën e internetit. Kur iku nga Tirana kish marrë 215 mijë euro. Së bashku me të u prezantua një farë Situma, mesfushor qendre nga Kenia dhe Mahmud al Ajmi. Në Tiranë i dhanë numrin 10, ndërkohë që në Bahrejn u habitën. Ky është futbollist i Kombëtares sonë. U largua pas disa ndeshjesh, madje duke bërë tifozët për vete në Europa Ligë kundër Tërnavës. Familja e tij ish përfshirë në protestat anti-mbret në Bahrejn dhe ai nuk dëshironte më të qëndronte larg saj. Në atë periudhë te Tirana erdhi dhe Heples, një futbollist nga Bahamas. 32 orë i duheshin udhëtim për të shkuar në shtëpi. “Asokohe paguam një biletë avioni 2800 euro”, të thotë Halili, që ishte në ditët e tij të fundit si sponsor president. Bashkia nuk e donte më dhe drejtuesit e rinj larguan koloninë e Torit. Situma iku me keqardhje dhe me akuza. E kishin prezantuar si kapiten i Kenias, dhe doli që për momentin nuk ishte i tillë. Në Superkupën e Shqipërisë në Korçë njerëzit thanë: Kush është ky?! Ishte ndër më të mirët në një sfidë që Tirana e fitoi 1-0 me gol të Balajt. Hektor Çomo në atë kohë ishte menaxheri i klubit dhe më pas e paditi Tiranën në një gjyq civil. Tre vite më vonë hoqi dorë nga gjyqi. “Unë jam tifoz i Tiranës”.
Në dhjetor të 2014-ës Tirana i ktheu sytë sërish nga Afrika. Selemani Ndikumana, kapiten i Burundit. “Na e shpifët me këta”, thoshin njerëzit nëpër dhëmbë, por Sula, si e thërriste me shaka trajneri Magani, që në derbin e parë ishte përcaktues. Një rast i madh menjëherë, diçka përpara se Zhilberto të shënonte golin e fitores në derbin e fundit që bardheblutë kanë fituar që atëherë. Atë ditë në fushë u shfaq dhe Kahata, një kenian që mezi qëndronte “në këmbë”, por që luante në disa pozicione dhe ishte realisht lojtar interesant. Ndikumana mbijetoi diçka më gjatë, shënoi madje 13 gola edicionin pasardhës duke mundur në një ndeshje “tek pull” Skënderbeun. Për Kahatan çfarë nuk u tha. I zinin në gojë madje dhe jetën e natës nëpër pabet e kryeqytetit. I pari u largua dhe po e qajnë e sot e kësaj dite, i dyti nuk u vlerësua asnjëherë sa duhet.
Në sezonin pasardhës, atë që Tirana e konceptoi si Dream Team por zuri vendin e katërt, u afruan dhe dy afrikanë të tjerë. Kagere dhe Olaki. Kagere erdhi si premtim i madh. “Do vijë një panterë”, thërrisnin asokohe drejtuesit e klubit, ndërkohë që Olaki ishte më shpresëdhënës, 19 vjeç i shpejtë, dhe i talentuar. Mes polemikave brenda grupit, objektivave, shumë lojtarë dhe një situatë të nderë, as njërit e as tjetrit nuk iu dhanë shanset e duhura. Në një ndeshje në Fier të fituar 0-3 luajtën në sulm të tre bashkë, Kagere, Olaki dhe Ndikumana. Atë ditë Tirana ishte veshur me te zeza, njësoj si ngjyra e lëkurës që kishin lojtarët në vijën e parë.
Eksperimenti afrikan u paragjykua ndjeshëm asokohe në kryeqytet. Karakter i vështirë – thoshin njerëzit – ndërkohë që brenda klubit dëgjoje fjali të tipit: duan rrogën në datën e caktuar. Një vit pushim. Stop me afrikanë, do luajmë me shqiptarë, ballkanas, dhe japonezë. Tori – njeriu që bënte lidhjen me kontinentin e largët, po përgatitej për një tjetër revolucion. Vera e 2016-ës do shënonte kulmin në këtë drejtim.
Trajnerit Ilir Daja iu ofruan disa emra në skrivani. I mjaftuan vetëm 20 sekonda për të parë Mervej, numrit 19 që do habiste Superioren. “Ky bën”. Në klub insistonin për Sise. “Akoma sot e kësaj dite nuk e kuptoj se si ai lojtar zhgënjeu. Ai kishte luajtur me Kazablankën në Marok, kampionat i fortë. Por futbolli kështu e ka”, të thotë Hektori. Fatura totale e afrikanëve ishte 220 mijë dollarë në vit. “Mervej merrte vetëm 2 mijë dollarë në muaj. Kujt ja prite mendja që do bëhej një yll”, të thotë Çomo duke qeshur. Atij ia priste mendja. Kolonia afrikanë ishte objekt i një debati të madh. Një pjesë e opinionit thoshte që kjo ishte arsyeja e dështimit të Tiranës, një pjesë tjetër i vlerësonte. Mojse mori epitetin Raketë nga Starova pas derbit, ndërsa Akuan e donte gjithë superiorja. Merveje ishte ylli i skuadrës. Sise ishte një dështim, ndërsa Edeh shënoi 7 gola por ishte shumë vonë kur i realizoi. Nuk është e ndershme të thuash sot që ata ishin arsyeja e dështimit.
Merveje, ylli i skuadrës së sezonit të shkuar, është pjesë e Kombëtares ë Kongos. “Binguila është i mirë se unë”, ua tha ai drejtuesve kur mësuan se kishin bindur një tjetër talent të fironte gjatë kësaj vere. Ky nuk është i vetmi. “Ngo është një sulmues i jashtëzakonshëm, një bishë e vërtetë. 3 vite më parë shkoi nga Liverpuli në Champions, por atëherë nuk pranonte të më ngrinte as telefonin – thotë Como – tani ngaqë kish kohë i dëmtuar pranoi të vinte”. Ngo ngjan si një nga gardianët e burgut të Guantanamos, shënoi një gol në Pogradec dhe dy kundër Besës së Kavajas.
Jo të gjithë janë për t’u shitur. Kjo është çështje moshe. Akuah shkoi te LASK për 250 mijë euro, ndërsa Merveje në Getafe për 400 mijë euro. Dy janë objektivat e klubit. Sentamu, 23 vjeç, nga Uganda dhe Binguila nga Kenia. “Edhe Ze Marian unë e binda të vinte – të thotë Tori – fillimisht nuk donte, por më pas u bind. Fatmirësisht gruaja e tij nuk donte që burri i saj të jetonte në Afrikë”. Ze Maria i kalon ditët mes stërvitjes, familjes dhe kick box-it, sepse është kampion në këtë pikë. Fëmijët janë regjistruar në një shkollë private, ndërsa klubi paguan 1200 mijë euro në muaj për qiranë e shtëpisë së tij. Sentamu, një sulmues krahu, nga Uganda shkoi në Filandë. Atje nuk është se shkëlqeu. 13 ndeshje dhe një gol, shumë pak për një sulmues të tillë. Karakter interesant, do vetëm para, dhe do që ta marrë rrogën gjithnjë paradhënie. Në klub të thonë me shaka se nëse i jep 100 euro para ndeshjes vrapon dyfish.
Njeriu më me personalitet nga kolonia afrikane është Toni, Mauexhe lexohet, Maveje i thonë të gjithë se ashtu u vjen për mbarë (disa i thonë Merveje dhe ec e merre vesh a është lojtar i ri, apo ai i vjetshmi). Dhe ai vjen nga Uganda. Tori – që jeton në Kenia – shkoi për ta takuar në mes të korrikut. Më parë kishte luajtur në Norvegji dhe Islandë. Është diku te të 30-tat. Që në ndeshjen e parë në Superkupë fitoi komplimentet e opinionit.
Ndërkohë, nga ata që ishin vjet, Mojse është zhdukur. Klubi kërkon 50 mijë euro dëmshpërblim. Romuald ka ikur. Nuk bënte.
Operacioni Afrikë nuk është i thjeshtë, madje ka kosto. Biletat e avionëve nuk llogariten, ndërkohë që procedurat janë të gjata. Klubin në këtë pikë e ka ndihmuar shumë Alban Berisha, një tifoz i madh, shumë i përkushtuar, me influencë dhe me miqësi të forta. Ligji nuk duhet shkelur, por duhet evituar burokracia. Meqenëse jemi te Alban Berisha, restoranti i tij është shndërruar në një të tillë futbolli. Skuadra ka drekuar aty përpara ndeshjes së parë kundër Besës në Kupë. Hektori bën lidhjen me menaxherët e lojtarëve, me klubet dhe me agjencitë e huaja. Lojtarët duhet të vijnë të pastër, pa detyrime financiare dhe pa pasur në të ardhmen probleme me “training compensation”, pagesa e rritjes së lojtarit. Më pas, paratë e shitjes nuk shkojnë të gjitha te Tirana. Një pjesë e merr menaxheri, një pjesë agjencia dhe një pjesë Tori. “Paratë e mia nuk thuhen – të thotë ai – janë punët e mia me Ridin”. Ridi është Halili, presidenti. “Mervej ishte një yll, nëse nuk do binim nga kategoria nuk do e shisnim”.
Në futboll paratë nuk janë gjithçka. Presidenti Halili për shembull, ishte gati që ato 650 mijë euro që fitoi nga shitja e dy lojtarëve t’i jepte vetëm e vetëm që Tirana të qëndronte në Superiore. Por sigurisht nuk ishte faji i tyre që ekipi ra. Kenia, Uganda, Ruanda! Afrika Lindore është destinacioni bardheblu. Në këto vite janë shpenzuar shumë para në këtë drejtime. Bileta avioni, hotele, shtëpia, ushqim, transport. Rroga të majme ose, lekë menaxherësh dhe klubesh. Ky projekt ka filluar të nxjerrë frytet e veta.
Tori ka gati sulmuesin e radhës. “Është nga Ruanda”, të thotë duke qeshur. Halili porosit sërish për të ngrënë. “Jepi Tor, hamë drekë, afrikanët ikin e vijnë”. Njësoj si ofertat. Thonë që Binguila është i shitur që sa erdhi. Por kujdes, Tirana në stilin ‘I Love Africa’ duhet të kuptojë se pa sukses sportiv askush nuk do t’ia dijë. “I kam fituar të gjitha ndeshjet zyrtare këtë sezon”, të thotë Ze Maria. “Qetësohu trajner, je vetëm në Kategorinë e Parë”. Një nga zyrtarët më të lartë të klubit, Arbi Laçi, telefonon Torin. “Mojse kërkon të federohet diku tjetër”. Nuk ka ku shkon, pa paguar 50 mijë euro. Tirana është një kapitull gjeografie i vitit të tretë gjimnaz. Afrika, çfarë kontinenti! “I love Africa”, thotë Halili, ndërsa Tori i thotë Arbit: “Një ditë do shkojmë të gjithë atje me pushime”. “Titullin, Tor, ne duam titullin. Dhe jo atë të Kategorisë së Parë”.