150 mijë euro për mesfushorin Mauexhe. Hë për hë nuk është në shitje
Gjergji Stefa
Në ditët që Tirana është duke pritur këstin e parë të pagesës nga Getafe për Merverjl – operacioni në total shkoi 400 mijë euro – një faks tjetër dha sinjalin se 2 afrikanët e shitur në këtë verë nuk do jenë të vetmit. Oferta është konkrete për Toni Mauexhe, mesfushorin nga Uganda që deri tani ke rezultuar një afrim i suksesshëm. 150 mijë euro “cash”. “Jo, për momentin, jo. Ai duhet të luajë dhe një vit në Superiore”. Megjithatë joshja është e madhe. Vlerësimi po e po. Mjafton t’i hedhësh një sy ndeshjes së Superkupës kundër Kukësit për të kuptuar se nuk bëhet fjalë për një lojtar dosido. Është 29 vjeç dhe në 7-8 vitet e fundit ka luajtur në Norvegji dhe Islandë. Kategoria e Parë nuk është një barometër për të kuptuar nëse është realisht kaq i vlefshëm, ajo ndeshje me Kukësin, po.
Në klub kanë krijuar një bindje të qartë që kanali i Suezit ka qenë i vështirë për t’u kaluar, por me ta kaluar ka filluar të prodhojë diamantet e para. Me ndonjërin nuk është vepruar si duhet. Ndikumana nuk duhej lejuar të ikte në parametra zero, ndërsa Kahata dy ditë më parë shënoi gol me skuadrën e vendit të parë në Kenia, aty ku drejtonte Ze Maria vitin e shkuar. Më pas kur ua kujton mirë që nuk qajnë – madje në kuptimin e parë të fjalës – për një “farë” Olaki. Të thonë që ishte i shpejtë si era. Bolti dora vetë. Iku pa luajtur e pa u shitur.
Mervejl dhe Akua u kanë hapur sytë. Ndokush mendon se duke e bazuar strategjinë te Afrika Tirana po humbet rezultatet. Ndonjë tjetër madje thotë që prej tyre ata ranë nga kategoria. Nuk është e vërtetë. Tirana ra nga kategoria për një “miks” arsyesh, ku më së shumti duhet ta gjejë të keqen tek administrimi i situatave dhe te kriza teknike. Pak presidenca, e pak stafi, e pak lojtarët. E pak nga të gjitha. Meqë ra fjala, si ka mundësi që ajo skuadër ka rënë nga kategoria? Albi Dokën e kërkon Skënderbeu, Taku dhe Muzaka luajnë në formacion me Skënderbeun, Mervejl e Akua u shitën për 650 mijë euro, Teqja luan te Shkëndija, ndërsa ata që mbetën i kërkoi gjithë Superiorja. Ec e mere vesh.
Rikthehemi te tema fillestare. Tirana për momentin nuk ka asnjë qëllim ta shesë këtë futbollist. Ka një kontratë 2-vjeçare me të dhe dëshiron që të marrë shërbimet e tij edhe sezonin tjetër. Ai është “derr mesfushori” si thuhet në zhargonin e përditshëm. “150 mijë euro janë Ok, për të – të thonë në klub – por ne duam ta shesim atë në verën e 2019-ës”. Pra, pas sezonit tjetër. Por ndërkohë duhet t’i ofrojnë rinovimin e kontratës, pasi sepse në verën e atij viti që Tirana kërkon të shesë diamantin e e radhës ai mund të ikë me parametra zero.
Me një ofertë në tryezë për Mauexhe, me premtimin se Sentamu vlen njësoj si ata që ikën dhe me ëndrrën se Binguila do bëhet ylli i ardhshëm, Tirana ka prerë një biletë vatje-ardhje në kanalin e Suezit, aty ku ndahet Afrika me Azinë. Për momentin pikë të plota, asnjë gol i pësuar, Superkupë në xhep dhe eufori para ndeshjes me Vllazninë për Kupë.
Në fund, por sigurisht jo nga rëndësia, janë tifozët. Për ata afrikanët janë ende simboli i qymyrgurit, një nga arsyet e rënies nga kategoria. Ata nuk kanë faj, për ta analizat dhe argumentet janë krejtësisht të panevojshme. Krenaria e vetme që u kish mbetur në këtë futboll ishin që nuk kishin rënë asnjëherë nga kategoria. Për një pikë më shumë dhe atyre qymyrguri do u dukej si diamant. Për atë pikë më shumë që nuk festuan dot as kupën, ku 3 shënuesit ishin të tre afrikanët. Me tifozët është një tjetër histori. Ajo do pak të rregullohet. Do rezultate. Klubi ndërkohë po shijon fitoret e vitit të tranzicionit dhe po ngre direkun e anijes që do kalojë sërish kanalin.