Tigruxha: Me Laçin duhet të ndryshojmë trend, ndeshjet këtu janë si beteja

Shafik Tigruxha ishte afrimi i fundit në listën e gjatë të merkatos së Kukësit. Algjeriani me pasaportë franceze gradualisht po fiton vendin e  titullarit tek kuksianët ashtu siç edhe po arrin formën optimale. Në një intervistë për “Supersport” 26-vjeçari ka komentuar aventurën e tij në vendin tonë.

Mesfushori është në të njëjtën linjë me pjesën tjetër të skuadrës, kur thotë se objektivi i tij dhe i klubit është vetëm titulli kampion. Nuk kishte si të mungonte dhe një koment për kampionatin në tërësi nga ana e Tigruxhës, i cili shprehet se këtu ndeshjet janë si beteja.

NDESHJA ME LAÇIN – “Unë personalisht nuk e njoh Laçin, sepse nuk isha këtu kur u luajt ndeshja e parë, por me sa kam biseduar shokët e skuadrës besoj se do të kemi përballë një skuadër të mirë dhe nuk do të jetë aspak e thjeshtë, megjithatë duhet ta fitojmë këtë takim, sepse deri më tani nuk kemi fituar me asnjë skuadër rivale dhe duhet ta ndryshojmë këtë trend”.

OBJEKTIVAT ME KUKËSIN – “Nuk arritëm të fitonim ndaj Skënderbeut e Partizanit, por nuk është se ishim inferiore ndaj tyre, madje patëm rastet tona për të fituar, mendoj se Kukësi e ka potencialin për t’u shpallur kampion. Shpresoj që mos të lëshojmë më pikë rrugës dhe rivalët tanë të gabojnë. Personalisht dua të fitoj kampionatin me Kukësin dhe të luaj në Ligën e Kampionëve. Ky është objektivi i klubit, por edhe i imi personal, jam këtu për këtë”.

KAMPIONATI SHQIPTAR – “Kampionati shqiptar është një kampionat mjaft i fortë, luftohet shumë. Kur luajmë kundër skuadrave si Skënderbeu, luhet futbolli i mirë dhe kjo më pëlqen, ndërsa në ndeshje të tjera është betejë më e ashpër. Kur erdha në fillim, nuk isha në maksimumin e formës fizike, por tashmë ndihem mirë dhe dua ta ndihmoj skuadrën sa më shumë të jetë e mundur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *