Tifozët presin lojtarët, Kamza afron përgatitës atletik nga Italia

Kamza është ndoshta ekipi më i vonuar i Kategorisë Superiore për ndërtimin e kontingjentit të ri. Puna që i pret është kolosale, sepse thuajse i gjithë kontingjenti është për tu ribërë nga e para, me heronjtë e mbijetesës së edicionit të kaluar që janë larguar.

Por, në një kohë kur tifozët presin futbollistët e rinj, klubi ka zyrtarizuar përgatitësin atletik Marko Matuli. Ajo që bie në sy te italiani 31-vjeçar përveç moshës së re, është edhe mungesa e eksperiencës në ekipe të para, ndërsa edhe klubet ku ka punuar së fundmi nuk kanë qenë të niveleve më të mira.

Përpos punës më të rinjtë, nga mosha 10 deri në 16 vjeç , në qershor të vitit 2015 Matuli u emërua dhe punoi për një sezon si përgatitës atletik te skuadra e kategorisë së tretë hungareze, Tatabanja. Ndërkohë te Kamza ai vjen pas eksperiencës te Faenca, skuadër e kategorisë së pestë italiane, që në piramidën e futbollit përtej Adriatikut është thjesht një ligë amatore.

Marko Matuli nisi menjëherë punën me ekipin e drejtuar nga trajneri Bledar Devolli, që nga ana e tij pret blerjet në fushë. Përveç ish-kapitenit të Luftëtarit, Beqiri dhe rinovimit të Çukoviç, klubi ende nuk ka sjellë lojtarë me eksperiencë, ndërsa drejtuesit do të përqendrohen kryesisht te tregu i huaj. Në këtë rast, CV-ja e tyre duhet të jetë shumë më e mirë se ajo e përgatitësit atletik, nëse skuadra dëshiron të luftojë si e barabartë me ekipet e tjera elitare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *