Laçi gjatë kësaj vere nuk ka bërë shumë lëvizje në merkato, flasim për në hyrje, pasi largimet kanë qenë disa dhe të rëndësishme. Bardhezinjtë kanë kërkuar për sulmues dhe vijojnë të kërkojnë. Para ndeshjeve në Europa League ata afruan kroatin Vice Kendesh.
Lojtari në fjalë luajti titullar në të katër ndeshjet e Europës, por nuk mundi dot që të shënojë. Ndërkohë SportEskpres.com mëson se Kendesh nuk do të jetë pjesë e Laçit për sezonin e ri futbollistik dhe tanimë duhet të gjejë një tjetër skuadër.
Në ndeshjet në Europë sulmuesi tregoi se nuk bën diferencën dhe fakti që është lojtar i huaj mund t’i hapte probleme atij për të pasur hapësira në vazhdim. Toro dhe Eller janë momentalisht dy të huajt e vetëm te Laçi, por pritet që të ketë edhe të tjerë elementë që do të vijnë nga jashtë për bardhezinjtë.
Kështu është parë që zgjidhja më e mirë ishte të ndërprisnin kontratën. Aktualisht drejtuesit e Laçit po punojnë për të gjetur një sulmues goli që të zëvendësojë Rexhinaldon e larguar te Kukësi. Trajneri Mërgjyshi momentalisht ka në dispozicion vetëm Redon Xhixhën.
VLADIMIR PRENGA