Drejtuesit e Partizanit në pushimin e ndeshjes janë ankuar dhe i kanë kërkuar delegatit të UEFA-s t’i shkruajë në relacion thirrjet e tifozerisë bullgare.
Partizani është eliminuar nga Europa League pas humbjes me ekipin e Botevit, por pavarësisht kësaj “demat” nuk mund të qëndronin duarkryq pas përballjes me fyerjet raciste dhe kërcënimet nga pala bullgare. Tifozët e ekipit të Botevit kanë shprehur urrejtjen e tyre ndaj shqiptarëve dhe këtë e bënë duke nxjerrë vrer dhe fyerje nga më të ndyrat. Në ndeshjen e zhvilluar ditën e enjte, në stadiumin “Lazur”, të Burgasit, nuk kanë munguar shprehje të tilla si: “Vritini shqiptarët”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, etj, etj. Kjo nuk u ka pëlqyer aspak drejtuesve të Partizanit. që janë ankuar në UEFA në lidhje me thirrje të tilla.
ANKESA – Menjëherë me mbarimin e pjesës së parë, të kuqtë kanë raportuar te delegati i takimit në lidhje me koret e tifozerisë vendase. Ai fillimisht ka qenë i habitur, pasi nuk ka kuptuar gjuhën, por menjëherë sapo të kuqtë i kanë thënë domethënien e frazave ka shënuar në relacionin e tij gjithçka. Pavarësisht kësaj, asnjë lajmërim nuk është bërë nga ana e fonisë së stadiumit. Ndeshja duhet të ishte ndërprerë për shkak të thirrjeve raciste kundër ekipit të Partizanit. Tifozët bullgarë i kanë përsëritur disa herë brenda takimit.
DËNIMI – Ekipi i Partizanit pret dënimin që do t’i bëjë UEFA ekipit të Botevit. Të kuqtë, pavarësisht se nuk janë më pjesë e këtij kompeticioni kërkojnë të dërgojnë drejtësi. Dënimi i ashpër, nga gjoba te mbyllja e stadiumit, do të ishte një mësim mjaft i mirë i tifozerisë bullgare që ka një frymë të orientuar drejt huliganizmit dhe nacionalizmit të thekur.