Një skandal i bujshëm ka plasur ditën e sotme në Spanjë, teksa është arrestuar presidenti i klubit të Hueskas, si dhe disa lojtarë të klubeve të ndryshëm, ku të gjithë akuzohen për trukime.
Fillimisht u bë me dijë që ndeshja e trukuar ishte Hueska-Gimastik Tarragona, e luajtur vitin e shkuar në Segunda Division. Gjithsesi, një fakt akoma më tronditës bëhet me dije së fundmi, ku nën hetim është edhe sfida e luajtur në javën e fundit të La Ligas, Vajadolid-Valencia.
Ndeshja u mbyll me shifrat 0-2 në favor të Valencias, që në atë takim arriti të siguronte vendin e katërt, që të çon në grupet e UEFA Champions League. Siç duket dhe nga përmbledhja e ndeshjes, golat e miqve duken si “të falur”, me mbrojtësit e Vajadolid që bëjnë gabime foshnjërake. Tashmë, duhet të pritet përfundimi i hetimeve, me dy ekipet që rrezikojnë jashtëzakonisht shumë.