Tha se nuk ishte larg nga niveli i Real Madrid-Man City, Pioli flet pas humbjes nga Roma: E mundim në ndeshjen e kthimit, nuk ishim me fat me arbitrin

“E pashë ndeshjen Real Madrid-Man City dhe mund të them se ne nuk jemi larg nivelit të tyre”. Kështu u shpreh Pioli para ndeshjes çerekfinale kundër Romës në Europa League dhe tani duhet të kthehet me këmbë në tokë. Roma arriti që të fitojë në transfertë me shifrat 0-1 falë golit të Mancinit. Në përfundimin e takimit, Pioli kishte kontestime edhe me arbitrin pasi kërkoi një penallti që sipas tij është mohuar.

“Abraham donte ta prekte topin me kokë, por e hoqi me dorë. Le të themi se nuk jemi me shumë me fat me këtë arbitër, nuk i ka shkuar mirë në të gjitha ndeshjet e mëparshme. Unë besoj se në ndeshjen e dytë, nëse përmirësohemi pak nga aspekti taktik, nuk jemi shumë larg për ta mundur këtë lloj kundërshtari si Roma.

Duhet të luajmë një ndeshje të madhe atje. Duhej të ishim më të qartë në mbrojtje në pjesën e parë, nuk ishte mbrëmja jonë më e mirë nga shumë këndvështrime. Kemi goditur shumë herë nga distanca pasi nuk kishte hapësira dhe kemi gabuar në pasimin e fundit”, tha Pioli. /Sport Ekspres/