Leverkuseni i kthen minutat e fundit në makth! Gjermanët bëjnë për “aspirina” Uest Hemin, anglezët e panë vetëm një herë portën

Bajer Leverkuseni vazhdon të magjepsë të gjithë të apasionuarit pas futbollit. Preja e radhës për “aspirinat” ishte Uest Hemi, me të cilin u përballën në çerekfinale të Ligës së Europës. Skuadra angleze rezistoi deri në minutën e 83-të, kur Hofmani zhbllokoi rezultatin. Ekipi i Alonsos i ka kthyer minutat e fundit në një makth për kundërshtarët, teksa prej disa ndeshjesh radhazi arrin të sigurojë fitoren në kufijtë e kohës. I njëjti skenar ndodhi edhe mbrëmjen e sotme. Pas Hofmanit, ishte Bonifejsi ai që, në minutën e 91-të, vulosi fitoren 0-2 për Bajerin.

Leverkuseni bëri për “aspirina” Uest Hemin, i cili e pa portën e gjermanëve vetëm një herë gjatë lojës. Klubi anglez regjistroi vetëm një goditje dhe mbajti topin në zotërim në 27% të kohës. Në krahun tjetër, Leverkuseni provoi të shënonte në 33 raste, por 13 goditje përfunduan në portë. Dominim absolut i ekipit të Granit Xhakës, që regjistroi sot ndeshjen e 42-të pa humbje në këtë sezon./Halit Delibashi-Sport Ekspres/