Erlis Frashëri i është bashkuar Teutës pas marrëveshjes që klubi durrsak arriti me Kamzën. Mbrojtësi korçar në verë u tentua nga Skënderbeu, por nuk u la i lirë. Gjithsesi tanimë ai ka ndryshuar ambient dhe falënderimet për Kamzën nuk kanë munguar.
“Tani siç është bërë zyrtare dhe nëpër media jam një futbollist i Teutës. Falënderoj ekipin e Kamzës, ku kalova disa nga momentet e mia më të mira në sport dhe arrita të kem respektin e të gjithëve. Falënderoj çdo trajner, futbollist që kam punuar gjatë këtyre dy viteve e gjysmë. Ishte një kënaqësi. Falënderoj dhe presidencën e klubit, ku u ndjeva si në shtëpinë time. Tani do jap më të mirën time te Teuta për të arritur objektivat dhe shpresoj në fund të gjithë të jemi të lumtur”, shkruan mbrojtësi i djathtë në llogarinë e tij në “Facebook”. Frashëri projektohet titullar për krahun e djathtë të mbrojtjes. Bojan Gjorgievski është larguar dhe korçari ishte zgjidhja e Teutës.
LARGIMET – Teuta ndërkohë ka njoftuar dy lëvizje në dalje, teksa mbrojtësit Edison Ndreca dhe Jurgen Vogli janë larguar para kohe nga skuadra durrsake. “Klubi i futbollit Teuta njofton se ka shkëputur marrëveshjen me mbrojtësin Edison Ndreca. Falënderojmë lojtarin në fjalë për kontributin e dhënë gjatë kohës që ishte pjesë e jona. Ne i urojmë Edison Ndreces suksese në jetë dhe në karrierë. Ju njoftojmë se Klubi i Futbollit Teuta ka vendosur që të ndërpres bashkëpunimin me mbrojtësin Jurgen Vogli. Ne e falënderojmë Voglin për paraqitjet e tij sa ishte pjesë e klubit tonë”, thuhet në njoftimin Teutës.
https://www.facebook.com/OfficialTeutaKF/photos/a.10150089137884462/10156866704804462/?type=3&theater