Teuta synon kthesën e shpejtë në Kamzë, ndryshon sulmi

 

Durrsakët duan të bëjnë autokritikë pas humbjes me Flamurtarin në shtëpi. Trajneri Magani duket se do të bëjë lëvizje në skuadër

Një humbje dhe dy fitore në tri javët e para të kampionatit nuk janë keq, por Teuta ka ambicie në këtë sezon dhe nuk i falet të lërë pikë në shtëpi. Në këtë kampionat çdo ndeshje është e vështirë dhe diferencat janë shumë të vogla mes rivalëve. Më mirë se durrsakët kanë bërë Kukësi dhe Skënderbeu, ndërsa Flamurtari ka të njëjtën kuotë pikësh me “Djemtë e detit”. Të besuarit e trajnerit Gugash Magani synojnë të mos dalin pa pikë nga fusha e Kamzës, pasi duhet patjetër të bëjnë autokritikë pas humbjes në Durrës. Ajo humbje i ka kthyer lojtarët e Teutës me këmbë në tokë, siç ka pohuar edhe vetë trajneri Gugash Magani. Një rezultat pozitiv në fushën e debutuesve do të justifikonte në një farë manyre hapin e gabuar në “Niko Dovana” dhe do të kthente moralin e lartë te durrsakët. Për të shkuar në Europë, që është objektivi minimal i Teutës, duhen patjetër pikë në transfertë dhe Kamza është një provë serioze në këtë drejtim.

FORMACIONI – Trajneri Magani mundohet të jetë gjithnjë i kujdesshëm me formacionin e tij, duke preferuar të mos zbulojë asgjë para ndeshjes. Megjithatë, nuk i pëlqen të bëjë shumë ndryshime nga ndeshja në ndeshje. Në tri javët e para tekniku peqinas ka bërë vetëm një ndryshim, teksa në vend të Latif ka aktivizuar nigerianin Osemene përballë Vllaznisë dhe Flamurtarit. Përballë Kamzës, me shumë gjasa, durrsakët do ta nisin me të dy këta sulmues nga minuta e parë, kjo dhe për faktin që të zhbllokohen, pasi deri më tani si nigeriani, ashtu dhe ganezi, nuk kanë arritur të shënojnë në kampionat. Latif duket se është në balotazh me Shehajn për një vend titullari, me këtë të fundit që ka arritur të shënojë golin e parë sezonal në triumfin e javës së parë me Luftëtarin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *