Teuta shkëlqen në miqësore, Bylisi nuk mbetet pas

Magani i kënaqur me dominimin e lojës së skuadrës dhe i mërzitur që në manovrën përmbyllëse ka ende gabime

TEUTA – BYLIS 3-1

Shënues: Dediç 8’, 77’ Lena 15’ / Zisi 31’

TEUTA: Moçka, Abe Oluasina, Beqja, Shehi, Hrkaç, Lena, Hila, Dediç, Dosti, Çyrbja, Osemene. (U aktivizuan: A.Shehaj, Shkalla, F.Beqja, Sykaj, Bilali, Vila, Lajthia, Çmajcanin, Lika, Latif). Trajner: G.Magani

BYLISI: Xhorxheviç, Ntepe, N.Hoxha, Shoshi, Sam, Çukuka, Limaj, Luiz Henrike, Zisi, Hysko, Kolgega. (U aktivizuan: Dramolli, K.Fejzaj, P.Fejzaj, Lutaj, Sina, Dhrami, Llambro, Buzi). Trajner: B.Devolli

GJYQTARË: K.Shahini(pj.I), Xh.Rada(pj.II), A.Demiraku, M.Sadikaj (Durrës)

KARTON I VERDHË: Ante 24’

Fatmir Efica

Teuta fiton me Bylisin, por skuadra e Gugash Maganit shkëlqen në miqësoren me mallakastriotët, të cilët gjithashtu paraqiten shumë mirë. Përvoja mënjanë, por edhe stili e cilësia e lojës spikatën ndjeshëm nga durrsakët sidomos në pjesën e parë. Edhe goli i Dediç i shënuar shumë shpejt, që në minutën e 8-të ishte një barometër sa për motivim më të madh, aq edhe për të luajtur shpejt e në ndonjë rast dhe me agresivitet në manovrën mësymëse. Edhe Bylisi diti të kundërpërgjigjej, por natyrisht nuk kishte forcën e pjekurinë e durrsakëve. Këta të fundit pasi shënuan golin e dytë sikur ranë në eufori dhe miqtë nga Mallakastra nëpërmjet këmbëshpejtit Zisi rihapën ndeshjen e madje ishin afër edhe ekuilibrimit të shifrave të rezultatit. Dominimi i Teutës niste nga organizimi i manovrës, që nga qendra e mbrojtjes me Shehin e A.Beqën, e cila krijonte larmi me “regjisurën” në mesfushë nga Lena e Dosti, ndërsa Cyrbja e Oneke në sulm krijuan një “mal” me raste si për vete dhe për shokët. Por në episode të veçanta çuditërisht në mënyrë “naive” nuk arritën të finalizonin. Te Teuta dallonte dhe integrimi i të ardhurve rishtasi, të cilët ishin bashkuar me kontingjentin e kampionatit të kaluar në të gjitha pozicionet formacionit. Madje. kjo logjikë loje rezistoi edhe në 45-in e dytë me gjithë ndërrimet e shumta që u bënë. Mesfushori me tipare sulmuese Anel Dediç krijoi veç dy golëshit të realizuar, edhe plot veprime të tjera spektakolare. Madje vetëm portieri Mocka dhe Dediç nuk u zëvendësuan gjatë 90 minutave prej teknikut Magani. Bylisi nga fitorja në miqësoren me Besën, po në Kavajë te humbja me Teutën, dëshmoi më tepër grintë. Afrimi më i fundit i mesfushorit brazilian Gregac Luisi, dukej i goditur mirë sikurse dhe ruajtja e grupit me disa lojtarë plot përvojë si Shoshi apo futbollistët e huaj Çukuka, Ntepe, Samnda përdorën një stil bashkëveprues interesant që nxit edhe lojtarët e rinj të “fotokopjojnë” alternimet e shpejta dhe interesante sidomos nëpërmjet daljeve të shpejta e të befasishme në kundërsulm. Ndeshja ishte shumë e bukur, me një nivel mbi mesatar, me shumë episode tërheqëse. Miqësore që e justifikoi më së miri qëllimin e tij në një fushë “neutrale” në Kavajë.

 

Gugash Magani: Jemi gati për aventurën e radhës

Trajneri i durrsakëve i kënaqur nga loja. Devolli i Bylisit e sheh skuadrën e tij pretendente nëse e ka me vete edhe fatin në Kategorinë e Parë

Një ndeshje shumë e mirë e Teutës, por edhe një paraqitje e këndshme e Bylisit. Gugash Magani ka mbetur i kënaqur nga miqësorja e djeshme me mallakstriotët që luajnë në Kategorinë e Parë. Pas ndeshjes ai ka folur mirë për ekipin e tij. “E dominuam ndeshjen në pjesën e parë. Skuadra po konturohet si duhet. E presim me optimizmin e duhur kampionatin e ri. Kemi edhe ndonjë gjë për të riparuar sidomos fazën përmbyllëse të aksioneve tona që kanë të bëjnë me përmirësimin e finalizimeve, sepse jemi një skuadër që prodhojmë shumë lojë, e raste pa fund. Një kompliment edhe për Bylisin që tregoi vlera pozitive”, mbylli Magani.

Bledar Devolli, trajneri i Bylisit thotë se skuadra e tij ka ende punë për të bërë, por është në rrugën e duhur. “Kemi pësuar gola për gabimet tona në pjesën e parë. Në fakt, Teuta është një ekip solid dhe me përvojë. Ne ditëm t’i përgjigjeshim dhe ndjehem mirë që skuadra po e konsolidon stilin e lojës së vet. Sigurisht kemi akoma punë për të bërë deri në startin e kampionatit të ri. Do të jemi pretendentë?! Ne do të ja bëjmë hyzmetin deri në fund, por duhet veç të tjerave edhe fat”, mbylli Bledar Devolli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *