Teuta mori tre pikët me Partizanin dhe kërkon të sigurojë pjesëmarrjen në kupat e Europës. Një fitore me Kastriotin do i afronte ata me objektivin sezonal dhe në kampin durrsak po mendojnë për këtë përballje. Trajneri Bledi Shkëmbi për këtë sfidë nuk do të ketë të gatshëm Lansinet Sidibe.
Mesfushori afrikan u ndëshkua me karton të kuq kundër Partizanit, ndërkohë që stafi teknik i ka sytë ngë Tefik Osmani dhe Ditmar Bicaj. Këta dy të fundit munguan ndaj të kuqve për shkak dëmtimesh dhe pritet të shihet gjendja e tyre. Sot ata janë bashkuar me grupin dhe me gjasa do jenë gati.
Trajneri Shkëmbi, pas ndeshjes me Partizanin ka folur edhe për takimin me Kastriotin. Për “Durrës Lajm” ai është shprehur: “Si çdo javë edhe ajo ndeshje do jetë shumë e rëndësishme. Kastrioti gjatë këtyre dy fazave në asnjë moment nuk ka treguar se është një ekip inferior, përkundrazi kanë bërë shumë mirë dhe po marrin pikë në çdo ndeshje pothuajse. Patjetër që do jetë e vështirë. Kemi një javë kohë të përgatitemi dhe shpresojmë të marrim edhe atje më të mirën”.