Durrsakët zhvendosen në vendin fqinj, ku do të stërviten 3 javë. Trajneri Magani konfirmon qëndrimin e sulmuesit Semin Haxhibuliç. Largohet Papa
Fatjon Rupi
Mbrëmjen e djeshme Teuta ka udhëtuar drejt Italisë, ku do të zhvillojë fazën përgatitore për tri javë. Skuadra ka pësuar shumë ndryshime në grupin e lojtarëve dhe trajnerit Gugash Magni i duhet shumë punë për konsolidimin e grupit. Trajneri peqinas ka pohuar se për këtë arsye do të luhen në Itali 6 ndeshje miqësore: “Po nisemi drejt Italisë, ku do të qëndrojmë tri javë dhe do të zhvillojmë 6 ndeshje miqësore me ekipe si Çezena, Rimini, Kombëtaren e San Marinos e kundërshtarë të tjerë. Grupi ka ndryshuar në krahasim me sezonin e kaluar, por e ritheksoj se asnjë lojtar nuk e kemi larguar ne. Kanë ikur ata, të cilëve u përfundonte kontrata. Sulmuesi Semin Haxhibulliç është pjesë e Teutës dhe do të jetë me ne në Itali”, – u shpreh trajneri i Teutës dje në mbrëmje.
AFRIMET – Ditët e fundit skuadra durrsake ka bërë disa afrime, duke nisur nga mbrojtësi Ante Hërkaç, për të vazhduar më pas me rikthimin e Albi Dostit, afrimin e dy vlonjatëve Arbër Beqaj dhe Ardit Shehaj, afrimin e mbrojtësit Hakaj nga Partizani, boshnjakut Dediç dhe së fundi të sulmuesit Semin Haxhibuliç. Por më parë ishin shumë nga titullarët e skuadrës së sezonit të fundit, siç janë Rustem Hoxha, Bruno Dita, Artur Magani, Andi Ribaj, Blerim Kotobelli, Gerhard Progni, Erand Hoxha, Ergi Borshi, Faizal Bangal e Emiljano Musta. Trajnerit Magani i nevojiten sa më shumë miqësore që ta lidhë skuadrën e re, ndaj dhe ka programuar 6 miqësore në Itali, një ndeshje çdo 3 ditë.
PAPA – Largimi i fundit nga Teuta është ai i Enriko Papës, i cili ka marrë lejen e kalimit nga klubit durrsak dhe tani është lojtar i lirë. Papa u bashkua sezonin e fundit me Teutën, pas eksperiencës me Tiranën. Largimin nga Teuta e ka konfirmuar vetë lojtari, që tani kërkon një përvojë të re.