Teuta ka nisur punën për sezonin e ri dhe trajneri Gugash Magani po rindërton skuadrën nga e para. Skuadra durrsake ka nisur fazën përgatitore prej disa ditësh, me shumë emra të rinj, por skuadra e re po kompletohet pak na pak.
Shefi i klubit, Edi Salillari, foli dje për Supersportin pas shortit për Kategorinë Superiore, duke u ndalur te rindërtimi i skuadrës dhe infrastruktura.
“Ekipi do të jetë një alternim i të rinjve me lojtarët me eksperiencë. Kemi filluar fazën përgatitore në Durrës, teksa më 17 korrik shkojmë në Itali për 3 javë. Kemi planifikuar edhe ndeshje miqësore atje. Ne si klub nuk ishim dakord për nisjen e kampionatit kaq vonë por ky ishte një mendim i shumicës të cilës duhet ti bindemi. Megjithatë do ta vuajmë të gjithë.”
Salillari përmbledh punën e bërë në stadiumin “Niko Dovana”: “Po punohet në stadium gjatë kësaj periudhe. Kur të fillojë kampionati do të jetë ndryshe. Shorti është i pranueshëm sepse kemi ndeshjen e parë në shtëpi. Pastaj nëse bie Partizani apo Skënderbeu pak rëndësi ka pasi herët apo vonë do të ndeshemi me ta.”