Teuta duket se është duke zbatuar një projekt fitues që lidhet edhe me grup moshat, për të formuar një fizionomi fituese në futbollin shqiptar. Durrsakët po kryesojnë në Superiore, ndërsa rezultatet pozitive po vijnë edhe nga ekipet zinxhire të saj.
Kështu Teuta U-19 është shpallur kampion në Kategorinë Superiore, më saktësisht në Grupin B. Kundërshtarët e kishin të pamundur që ta arrinin, ndërsa këtë sukses e kërkon edhe ekipin e parë, pavarësisht diferencës sesi do të jenë me rivalët.
Por te skuadra U-19 që drejtohet nga Xhevahir Kapllani nuk kënaqen lehtë. Oreksi vjen duke ngrënë dhe pjata e radhës e shtruar në tryezë është përballja kundër Tiranës U-19. Bëhet fjalë për ndeshjen çerekfinale dhe trajneri durrsak ka folur për “KfTeuta” duke kërkuar maksimumin. Ëndrra më e madhe mbetet arritja në kompeticionin “UEFA Youth Champions League”.
Si është situata prag Tiranës, a je i kënaqur me formën e skuadrës?
Ka shumë entuziazëm, ka dëshirë, djemtë janë të motivuar shumë për këtë ndeshje. Është puna e gjithë vitit dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Duhet të nxjerrim në pah cilësitë tona. Kemi pasur një ecuri më shumë se pozitive. Nga ndeshja e parë deri tek e fundit skuadra ka treguar stabilitet, një element tepër i rëndësishëm në futboll.
A e ëndërron Teuta dhe Kapllani pjesëmarrjen në UEFA Youth League?
Për momentin kjo fazë është shumë larg, ne duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Finalja e parë është nesër me Tiranën. Jo vetëm unë dhe ekipi, por e gjithë familja e madhe e Teutës ëndërron që ne të marrim pjesë në Champions. Por tani nuk është momenti të ëndërrojmë, por të luftojmë në fushë dhe të fitojmë.
Sa e njeh kundërshtarin, i ke studiuar bardheblutë?
Kam informacion të përgjithshëm. Tirana ka një skuadër kompetitive, me lojtarë cilësorë. Do të jetë një ndeshje e bukur mes dy rivalësh që kanë pretendimet e veta.
Çfarë të ka befasuar nga ekipi yt gjatë këtij sezoni?
Serioziteti në stërvitje dhe harmonia. Fryma e grupit është sekreti ynë. Gjithashtu dua të theksoj se skuadra nuk ka qenë kurrë e varur nga një individ.
Gjatë kësaj periudhe keni patur kontakt me drejtuesit?
Klubi na ka qëndruar gjithmonë afër, kemi patur përkrahje nga drejtuesit. Janë të kënaqur me punën që kemi bërë, por unë e di se kemi akoma edhe shumë për të dhënë.
Kush lojtar ju ka befasuar nga U19, a do t’i bashkohet ndonjë prej tyre Teutës së madhe?
Nuk dua të përmend emra, por ka lojtarë shumë premtues dhe që jam i bindur se nëse vazhdojnë me këtë dëshirë dhe impenjim do të arrijnë lart. Këto ndeshje si kjo me Tiranën, do t’i rrisnin më tepër.