Teuta godet sërish, nga Vlora vjen Beqaj

0

Lojtari i linjës së djathtë ka lënë Flamurtarin dhe do bashkohet në Durrës me ish-trajnerin e tij Gugash Magani. Priten lëvizje të tjera

Vladimir Prenga

Ante Hrkaç ishte afrimi i parë i Teutës, ndërkohë që i dyti është Arbër Beqaj, me të cilin është arritur akordi prej gati dy javësh. “Sport Ekpsres” ka raportuar më parë për interesimin e klubit durrsak për vlonjatët, ndërkohë që sot 18-vjeçari do të jetë nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani. Beqaj njihet mirë nga trajneri Magani, pasi e ka pasur nën urdhrat e tij gjatë kohës që ka drejtuar Flamurtarin, ndaj edhe është bërë kjo lëvizje. Mbrojtësi i djathtë vjet u aktivizua në 15 ndeshje, 12 prej tyre si titullar. Më së shumti ai luajti në pjesën e parë të sezonit, ndërsa në vitin 2017 ai luajti vetëm në katër përballje dhe preferencë e parë për trajnerin Duro ishte vetëm në përballjet me Tiranën dhe Teutën. Mungesa e hapësirave ka bërë që Beqaj të shohë për ndonjë tjetër opsion dhe tashmë do t’i bashkohet “djemve të detit”.

Durrsakëve u duhej një futbollist në atë pozicion, pasi trajnerit Magani i është dashur të përshtatë Bledar Hodon dhe Fabjo Beqjan si mbrojtës të djathtë, edhe pse nuk është pozicioni i tyre natyral. Veç Beqajt, durrsakët do kërkojnë të afrojnë edhe një tjetër lojtar për linjën e djathtë të prapavijës, ndërsa problemi kryesor është gjetja e një mbrojtësi të majtë, pasi me largimin e Kotobellit ai krah ka mbetur zbuluar. Gjithashtu po punohet për të gjetur edhe në pozicione të tjera, në mesfushë e sulm. Reparti i avancuar është i boshatisur për momentin, pasi Ribaj, Magani dhe Bangal u larguan me mbylljen e sezonit dhe tanimë po kërkohet në tregun e huaj për të gjetur një goleador, pasi vjet skuadra durrsakë ka vuajtur shumë për të gjetur rrugën e rrjetës.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.