Ardian Mema ka nisur nga puna te Tirana. Sot ai zhvilloi seancën e parë me bardheblutë, ndërkohë që nesër do të ketë mundësinë ta shohë ekipin në një test me ekipin e të rinjve. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi teknikut të ri i duhet të njihet me lojtarët.
Takimi me Tiranën U19 do të zhvillohet prej orës 14:00 në kompleksin “Skënder Halili”. Mema do të shohë skuadrën në aksion dhe më pas gjatë javës do të vendosë se si do ta rreshtojë ekipin në ndeshjen kundër Flamurtarit.
KALENDARI – Gjatë kësaj periudhe Tirana do të ketë disa ndeshje të vështira. Kalendari i ka rezervuar tre ndeshje radhazi jashtë fushe. Fundjavën e ardhshme luajnë kundër Flamurtarit, ndërkohë që më pas Kamza dhe Teuta janë kundërshtarët e tjerë që kryeqytetasit do të vizitojnë.
Sfida mjaft të vështirë, ndërkohë që më pas vjen ndeshja në shtëpi kundër Kukësit. Në radhë do të jenë Skënderbeu e derbi me Partizanin. Sikurse edhe shihet, kalendari në gjashtë javët e ardhshme është i “frikshëm”.