Të pakuptimta, deri në çudi, ngjarjet që ndodhin te Luftëtari. Nëse akuzave për trukim të ndeshjes së kthimit me Ventspils, që përfundoi në barazim 3-3, klubi i përgjigjej me argumenta si ishte dëmtuar nga arbitrimi në takimin e parë, tashmë gjirokastritët bëjnë mbrapaktheu, pas polemikave me një prej yjet e ekipit.
Xhekson, u cilësua një prej pikave të dobëta në ndeshjen e humbur 5-0 në Letoni. Polemikat me trajnerin Kostiç dhe masa ndëshkimore e klubit, bëri që lojtari të mos udhëtonte në Elbasan, duke dhënë sinjalet e “divorcit” edhe pse ishte ende nën kontratë. Por, tashmë situata ka ndryshuar.
Klubi i Luftëtarit njoftoi zyrtarisht se Xhekson është rikthyer në skuadër, për të qëndruar sipas kontratës deri më 30 qershor 2019. Argumenti është se tashmë “mosmarrëveshja e mbrojtësit me stafin teknik rreth aktivizimit në Europa League është sqaruar “. Sipas bluzinjve, braziliani do të vijojë normalisht stërvitjen me grupin dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjet e kampionatit.
Një tjetër veprim i çuditshëm e klubit, që vetëm pak ditë më parë njoftonte masa të rënda ndëshkimore, ndërsa Xhekson kërcënohej me gjobë të majme financiare dhe rrezikonte të mos luante gjatë me ekipin. Situata është zgjidhur, por nuk mund të thuhet se të gjithë janë të lumtur. Nga tifozët te lojtarët, Luftëtari nuk është më magjia e futbollit shqiptar, ashtu si në dy sezonet e fundit.