Edhe Kukësi i ka dhënë lamtumirën Evropës. Verilindorët janë mundur me rezultatin 1-4 pas 180 minutash ndaj skuadrës së Debrecen. Ndeshja e sotme në Elbasan Arena përfundoi 1-1. Një gabim në mbrojtje i dhuroi kundërshtarëve golin që vrau ndeshjen. Pas ndeshjes ka folur edhe Olsi Teqja.
“Mendoj se e luajtëm mirë takimin. Ishte ndeshje e vështirë, kundërshtari po ashtu. I zbatuam me përpikmëri urdhrat e trajnerit, por në futboll duhet dhe fati. Bëmë një ndeshje pozitive, do të na shërbejë për të ardhmen.”
“Nuk e di si e pësuam golin, ishte një pakujdesi. Do ta shikojmë, do ta analizojmë atë gol të pësuar. Gjithë ajo lodhje e jona dhe u ndëshkuam në atë mënyrë. Edhe dëmtimi i Cuculit na penalizoi. Kishim raste për të shkuar 2-0, nëse do të shënonim do të ishte ndryshe. E ardhmja? Kam kontratë me klubin e Kukësit, por në merkato ka surpriza dhe nuk i dihet”, tha Teqja.