Telushi bekon Flamurtarin: Skënderbeu thyhet në Vlorë

Mesfushori vlonjat flet për ecurinë e tij në Kroaci, por edhe për kampionatin shqiptar, që e ndjek me vëmendje, duke nisur nga skuadra e vendlindjes 

Elton Nika

Aktualisht luan në kampionatin kroat, me Slaven Belupon, duke qenë një ndër shqiptarët e atjeshëm. Është ish-kapiteni i Flamurtarit, Bruno Telushi, i cili është gjithmonë i lidhur me kampionatin shqiptar dhe natyrisht me Flamurtarin. Në skuadrën e tij ishte deri para pak javësh, kur e ndali një dëmtim, madje ka shënuar deri tani edhe një gol. Në një intervistë të dhënë për “Sport Ekspres” ai e konsideron pozitive aventurën e tij në kampionatin kroat deri në këto momente, ndërkohë që nuk mungon edhe një koment edhe për Flamurtarin, ecurinë e skuadrës vlonjate, si dhe për garën që po bëhet në Superiore sivjet.

– Bruno, si ka shkuar deri më tani eksperienca juaj në Kroaci?

– Do ta cilësoja pozitive, mirë deri tani. Jam aktivizuar pothuajse gjithmonë në ndeshjet e skuadrës sime si titullar dhe kjo mund të quhet pozitive. Kampionati është mjaft i fortë këtu në Kroaci, teksa ka më tepër rivalitet dhe mbi të gjitha procesi stërvitor është mjaft i fortë. Do të thosha se jam ambientuar mjaft mirë dhe jam ndjerë mirë deri më tani.

– Po ecurinë e skuadrës tuaj si e shihni?

– Jemi aktualisht në vend të 6-të. Nuk është se kemi objektiva madhorë. Nuk kemi kaluar një periudhë të mirë si skuadër. Nëse në fund të kampionatit arrijmë në kupat e Europës, mendoj se kemi zhvilluar një sezon të mirë. Megjithatë, kampionati është i gjatë dhe ka kohë përpara.

– Si është marrëdhënia me golin për Telushin?

– Detyra ime është të luaj para mbrojtjes dhe deri tani kam shënuar vetëm një gol. Në Shqipëri ndoshta shënoja më shumë, ndërsa këtu detyrat janë më shumë mbrojtëse. Duhet theksuar se luhet një kampionat mjaft i fortë nga ana fizike, çka na bën të jemi totalisht të fokusuar te detyrat tona gjatë ndeshjes. Nuk besoj se do të ndalem vetëm te një gol.

– Luani në Kroaci, por kampionatin shqiptar e ndiqini, apo jo?

– Patjetër që e ndjek dhe jam gjithmonë i interesuar të informohem se çfarë ndodh në kampionatin shqiptar. Më vjen mirë për Flamurtarin, që po bën një kampionat mjaft të mirë deri tani. Besoj se i ka të gjitha mundësitë për kupat e Europës, por ndoshta edhe për më shumë. Skënderbeu, sa i përket kampionatit, ka një ekip shumë të mirë, ashtu sikurse mendoj se rival do të jetë edhe Kukësi, ndoshta edhe Partizani, pavarësisht se e ka nisur keq. Për mirë më ka surprizuar Kamza.

– Nesër luhet Flamurtari-Skënderbeu. Si e shikoni këtë përballje?

– Një ndeshje që gjithmonë vitet e fundit ka pasur rivalitet dhe për momentin mbetet një takim mes dy skuadrave që po bëjnë mjaft mirë. Për Flamurtarin është gjithmonë një takim i veçantë, por edhe për sportdashësit. E shikoj shumë të luftuar këtë 90- minutësh.

– Kush mendoni se do fitojë në fund?

– Kjo pyetje nuk të më bëhet mua, sepse unë dua gjithmonë fitoren e Flamurtarit dhe besoj se kështu do të ndodhë. Ekipi është mjaft i mirë këtë vit dhe meritë ka trajneri. Ndeshjen me Skënderbeun Flamurtari e fiton me mbështetjen e madhe të publikut vlonjat në shkallët e stadiumit. E shikoj një takim shumë të bukur, gjithsesi.

– Meqë e përmendet, ndaj Skënderbeut rikthehen tifozët…

– Një ndeshje pa tifozë nuk ka asnjëherë vlerë. E patë në ndeshjen me Kukësin… Më vjen mirë që do të jenë tifozët, edhe pse dënimet kanë qenë të shumta këtë vit për Flamurtarin. Për mendimin tim, në shumë raste kanë ndikuar në rezultatin e ndeshjeve. Skuadra sot duhej të ishte pikë më shumë. Shpresoj që ndeshja ndaj Skënderbeut të mos ndikohet nga gjykimi.

– Së fundmi, e mendoni një rikthim në kampionatin shqiptar?

– Për momentin jam në Kroaci dhe e kam mendjen totalisht te skuadra ime. Në të ardhmen nuk i dihet, por po mendoj vetëm për të tashmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *