Telenovela e transferimit të parë dhe Bozhinov, historia e “korçarit” Toskiç

Idriz Toskiç, kështu quhet afrimi i radhës te Skënderbeu. Luan si mesfushor qendre dhe është malazez me origjinë shqiptare, ndërkohë që numëron disa ndeshje me përfaqësueset e moshave të Malit të Zi. Mesfushori 23-vjeçar pjesën e parë të këtij sezoni u aktivizua te Bishelje në Serie C. Ai ka lindur në Itali, ndërkohë që ka qenë në të shkuarën edhe pjesë e Barit dhe e Kievos. Me këta të fundit është grumbulluar në një takim të Serie A në vitin 2013, konkretisht në një ndeshje të barazuar 2-2 me Atalantën.

Në Itali Toskiç ka luajtur edhe me Monzën, ndërkohë që në verën e vitit 2016 vendosi të provonte një eksperiencë në kampionatin malazez me Deçiç. Para disa ditësh ai ndërpreu kontratën me Bisheljen në Itali, ndërkohë që nuk munguan edhe “thumbimet” pas largimit.

“Sot përfundoj zyrtarisht përvojën time te Bishelje. Faleminderit të gjithëve, duke nisur nga drejtuesit e Bishelje, veçanërisht për zotërinjtë Mastrotaro e De Martioni e duke përfunduar me magazinierin Donato. Nuk ka nevojë të komentoj menaxhimin e këtij viti, kjo shikohet nga të gjithë. Fatkeqësisht, kur nuk jeni në gjendje të bëni më mirë punën tuaj, është e drejtë të ndryshosh ambient. Faleminderit shokëve të mi, pasi janë njerëz fantastikë. Faleminderit edhe stafit, që me sukses ka rritur për motivimin moral dhe futbollistik. Fat të mbarë Bisheljes në vazhdim”, thoshte Toskiç pas largimit.

Më pas erdhi kalimi te Botev Vratsa në elitën e futbollit bullgar. “Një falënderim shkon për Nikalo Jakimovksin dhe Valeri Bozhinov, të cilët më ndihmuan të vij këtu”, shkruante në rrjetet sociale mesfushori, i cili tashmë ka bërë kthesën dhe ka nënshkruar për 18 muaj me Skënderbeun.

“Pas disa ditësh në Bullgari, ku pashë disa gjëra absurde, preferova ta mbyll aventurën time atje dhe për të rënë dakord me një klub të madh si Skënderbeu.  Jam i lumtur që jam këtu”, shkruan në llogarinë e tij në “Facebook” Toskiç..

TELENOVELA E TRANSFERIMIT TË PARË – Toskiç ka qenë pjesë e Barit, ku edhe është formuar si lojtar. Një histori më vete është edhe kalimi i tij te Kievo. Sikurse raportohet nga mediat italiane, mesfushori u ble në korrik të vitit 2013 nga veronezët për shumën e 320 mijë eurove.

Vetëm dy muaj më pas, në shtator, Bari pagoi 250 mijë euro për të qenë bashkëpronar së bashku me Kievon, ndërkohë që kontrata e Toskiç ishte e vlefshme për 5 vite. Korrikun e vitit 2014 Kievo pagoi 400 mijë euro dhe e bleu përfundimisht mesfushorin. Për të njëjtën shumë Bari bleu Andrea De Falko nga veronezët. Në njëfarë mënyre këmbim kokë më kokë mes dy futbollistëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *