Të rinjtë dhe modeli “Pashk Laska”, është koha për ndryshim total

Eraldo Harlicaj 

Ekipet e Superiores kanë hyrë në një fazë mjaft interesante, mund të themi njëfarë “pjekje”. Duheshin 28 vite, aq sa demokracia jonë e brishtë, për të kuptuar nivelin e futbollit, kapitalit dhe synimin e klubeve. Më në fund, presidentët largpamës shqiptarë e kanë lexuar se ku duhet të shkojnë dhe çfarë duhet të bëjnë.

Shqipëria, gradualisht, po kthehet nga një treg importues, në një treg eksportuesh futbollistësh. Nuk po flasim në ajër, pasi e dimë se jemi larg asaj dite, por hapi i parë është bërë. Meritë absolute në këtë drejtim ka Skënderbeu, që e nisi i pari këtë “lojë”. Ekipet e tjera e kuptuan se nuk mund të vazhdonin me shpenzime pa fund dhe afrimin e “kamionëve” me lojtarë nga Brazili ose Afrika me sytë nga Zoti: “Ishalla më del ndonjë kungull i pjekur”.

Shuplakën më të madhe e dha vjet ekipi i Laçit. Menaxhim perfekt i presidentit Pashk Laska. Ekip me futbollistë të rinj që kanë nevojë të reklamohen, buxhet poshtë mesatares dhe suksese në kampionat e në Europë. Nuk thurim lavde të pafundme për presidentin e kurbinasve, pasi ka dhe ai cenet e tij, por të paktën është kthyer në një model për klubet e tjera.

Tirana po synon të shkojë drejt asaj rruge. Mungesa e fondeve të mjaftueshme ka bërë që më në fund bardheblutë t’u besojnë të rinjve. Një ekip i alternuar me lojtarë me eksperiencë, por mundohet të nxjerrë dhe ndonjë “kokërr”. Shitja e afrikanëve i ka lënë shije të mirë. Partizani është me ritmet e Tiranës. Ka rinovuar ekipin, ka elementë të rinj, por i ka të varuara shpresat në 2-3 futbollistë. Demi nuk e ka guximin e Laskës që t’i besojë krejtësisht “të ardhmes”.

Teuta është “e detyruar” ta bëjë. Buxhet mesatar dhe futbollistë që duan të luajnë futboll. Afrimet e fundit nga trajneri Bledi Shkëmbi e tregojnë mjaft mirë këtë gjë. Luftëtari ishte ekipi që dha një shembull të mirë, pasi nxori lojtarë si Bregu dhe Abazaj. Viti i fundit në Superiore nuk vlejti si leksion, gjirokastritët humbën rrugën dhe ndryshuan politika. Rezultati? 5 gola nga “të barabartët” e Ventspilsit. 4 gola nga një 19-vjeçar që ka qenë në Shqipëri. Hapini sytë, burra, shtrini këmbët sa keni jorganin!

Kukësi dhe Flamurtari kanë tjetër filozofi. Blej, blej dhe blej! Pa kriter moshe, nëse del ndonjë Gur, mirë është. Nëse del ndonjë Breg, largojeni me vrap, kemi polemika politike. Gjici dëshiron të ndjekë shembullin e Skënderbeut, por afrimet e bëra në verë janë shumë larg një politike të menduar mirë. Minus dhe për Nexhipin!

Kamza është e detyruar t’u besojë të rinjve, pasi nuk ka zgjidhje tjetër me problemet ekonomike që e kanë “mbërthyer”. Kastrioti ka ndërtuar një ekip simpatik, por nuk ka në bazë të rinjtë dhe nuk ka as infrastrukturë. Krutanët duan të mbijetojnë, kjo është politika e tyre e vetme.

Superiorja po hap sytë, Shqipëria ka nevojë ta hedhë më shumë vështrimin tek akademitë. Do të na duhen dhe disa vite për të kuptuar se mënyra si punojnë kroatët dhe vetëm elementi vendas mund të na nxjerrë në “dritë”. Të kryqëzojmë gishtat, mbase ka ardhur momenti i katarsisit edhe në futbollin tonë. Duke shpresuar që të ndertohet ndonjë fushë më shumë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *