Miqësorja e fituar dy ditë më parë ndaj Burrelit të Kategorisë së Parë, duket se i ka ngrohur drejtuesit e skuadrës së Tërbunit të Kategorisë së Dytë. Vetë trajneri Oltijon Kërnaja deklaron për SportEkspres.com se situata në skuadër është e mirë, jo vetëm se janë fituar disa miqësore resht, por edhe pse skuadra ka qenë e plotë në përgatitjet e këtij muaji dhe gëzon formë të mirë.
“Situata në skuadrën e Tërbunit është e mirë. Stërvitja ka vazhduar normalisht gjatë muajit janar, edhe pse kemi patur kushte të vështira atmosferike. Skuadra ka marrë ngarkesat e duhura, ndërkohë që gjatë ndeshjeve që kemi zhvilluar, kompaktësimi i lojtarëve ka qenë në nivelin që ne kërkojmë”, kështu deklaroi trajneri i skuadrës pukjane, i cili për fazën e dytë e mendon garën më të fortë, ndaj edhe synimi i tyre mbetet kreu i Grupit A.
“Faza e dytë do të jetë më e fortë, dhe nuk tërhiqemi nga objektivi ynë për të mbajtur kreun e Grupit A, ku kanë hyrë në konkurrencë 4-5 skuadra. Skuadra ka qenë në 80% e komplatuar dhe duke qenë se kishim mangësi në vijën e sulmit, sot nënshkruam me dy sulmues: Artur Sejdini dhe Erjol Merdini, për të cilët e presim këto ditë federimin me Tërbunin”.
Skuadra e Tërbunit është në krye të Grupit A në Kategorinë e Dytë me 24 pikë, i ndjekur nga Gramshi, Luzi 2008 e Partizani B me nga 23 pikë. Në ndeshjen e parë të fazës së dytë, më 17 shkurt, Tërbuni pret në Pukë Kukësin B.
AGRON KAJA