Kategoria e Dytë do ta ulë siparin e saj të mërkurën me ndeshjen finale, Tërbuni-Devolli. Përballë janë dy skuadrat që dolën të parat në grupet A dhe B, të dyja me përvoja të tjera në Kategorinë e Parë. Për SportEkspres.com, kapitenët e këtyre dy skuadrave, Mark Dodaj i Tërbunit dhe Mateo Pere i Devollit, deklarojnë se kjo finale tregon se të dyja skuadrat ishin të denja që të ngjiteshin në Kategorinë e Parë.
MARK DODAJ (Tërbuni) – “Në do shkojmë në Shijak vetëm me një synim: Fitore! E meritojmë edhe këtë Kupë, pa e nënvlerësuar Devollin, skuadër me të cilën nuk jemi ndeshur dhe momentalisht nuk e njohim. Jemi të denjë për këtë trofe, sepse Tërbuni ka skuadër të kompletuar, ka drejtues shumë profesionistë, njëherësh edhe një mbështetje të fuqishme të Bashkisë, por edhe të tifozëve tanë”.
MATEO PERE (Devolli) – “Këtë sezon, Devolli tregoi se është skuadër që e meritoi ngjitjen në Kategorinë e Parë. Treguesit tanë në këtë sezon, si organizimi e drejtimi në pankinë me Stavri Nicën, e bëjnë edhe më të afërt fitoren e Kupës. Ne kemi edhe një synim brenda skuadrës, ta mbyllim këtë sezon pa humbje, ndaj fitorja mbetet detyrim për Devollin. Ndërsa për sezonin e ri në Kategorinë e Parë, do jemi një skuadër rivale”.
AGRON KAJA