Verilindorët duhet të mendojnë për tapetin e “Zeqir Ymeri”-t që është konsumuar shumë dhe mund të jetë një rrezik dëmtimesh për lojtarët
Pretendimet për edicionin e ardhshëm janë madhore, pasi synohet ruajtja e fronit të kampionit. Në pesë sezone Kukësi ka bërë mjaft mirë, duke siguruar pjesëmarrjen për çdo vit në kupat e Europës. Megjithëse në ngjitjen në Superiore, stadiumi presoi një rikonstruksion, nuk u mendua për parametrat e UEFAS, pasi ndoshta dhe vetë drejtuesit nuk e kishin parashikuar një sukses kaq të madh në kaq pak vite. Në Kukës e presin me çdo kusht rikonstruksionin e stadiumit të tyre, me mbështetësit verilindorë që kanë deklaruar se do të mjaftonte që ndeshjet europiane të luheshin në shtëpi dhe do mjaftoheshin me vendin e tretë apo Kupën e Shqipërisë. Presidenti Gjici pak kohë më parë pati deklaruar se projektoi për stadiumin e ri do të nisë në shtator, por pa dhënë një datë se kur mund të nisin punimit. Nëse për ndeshjet e Europës kampionët kanë mjaftueshëm kohë të mendojeni, duhet të shohë fillimisht gjendjen e tapetit të stadiumit. Siç dihet Kukësi ka një fushë me tapet artificial, pasi reshjet e borës nuk lejojnë barin që të rritet. Problemi qëndron se tapeti i Kukësit ka më shumë se 6 sezone që nuk është ndërruar dhe tashmë terreni është konsumuar shumë, duke u bërë mjaft i rrezikshëm për lojtarët. Gjatë sezonit të fundit të gjithë lojtarët e Kukësit u detyronin që të bënin terapi ekstra për shkak të kontraktimit të muskujve që kishin nga tapeti jo cilësor. Tashmë që periudha është bërë akoma më e gjatë e shton rrezikun për dëmtimet e shpeshta. Edhe vetë lojtarët gjatë sezonit të shkuar kishin rezervat e tyre dhe shpresonin që sezonin e ardhshëm situata të ndryshonte. Deri në këto momente nuk është njoftuar që do të ketë ndërhyrje në këtë drejtim. FSHF detyroi Kamzën që të bënte ndryshime në tapetin e fushë së këtyre të fundit, por nuk e ka konsideruar të nevojshme në “Zeqir Ymeri”. Lojtarët janë të shqetësuar, pasi do të luajnë një numër të konsiderueshëm ndeshjes në një terren aspak favorit. Edhe ekipet kundërshtare që kanë “zbarkuar” në Kukës, në jo pak raste janë ankuar për gjendjen e tapetit të Kukësit. Mbetet për t’u parë nëse Kukësi do të ndërmarrë një ndërhyrje “blic” apo do të presë rikonstruksionin e plotë që të bëjë një ndërhyrje që është mjaft e nevojshme.