Piero Auzilio ka qenë për vite të tëra objekt kritikash e humori për tifozët e Interit dhe jo vetëm ata, sepse tek Interi nuk kishte bërë ndonjë blerje të mirë, në teori.
Megjithatë, krejt papritur, Interi është i pari dhe blerjet e Auzilios po rezultojnë fenomenale, ndërkohë që trajneri Spaleti ka ringjallur edhe emra si Nagatomo, Santon e Ranokia.
Tani e ka radhën Auzilio që të buzëqeshë, edhe pse nuk e tepron: “Në krye të renditjes është bukur, edhe pse preferoj të qëndroj me këmbë në tokë. Duhet të jemi të përqendruar, rruga është ende e gjatë dhe gjithçka ndryshon shpejt, duke parë çfarë ritmi kanë rivalët. Megjithatë, duam të qëndrojmë në krye”.
Duke folur për La Domenica Sportiva, drejtori sportiv i Interit flet për duelin me Juventusin, të shtunën: “Juventus-Inter vendimtare? Jo, në dhjetor nuk është e mundur. Do të shkojmë në Torino të paraqitemi si Interi, pastaj nëse fitojmë do të shohim pasojat. Kundër Juves nuk është ndeshje e zakonshme, por në fund pikët janë po ato, 3. Higuain? E respektojmë, pa asnjë frikë”.
Ikardi është tashmë një superstar, e duan të gjithë: “Mauro ka një kontratë afatgjatë, dëshira e tij është e qartë dhe nuk është e nevojshme që ta bindim që të qëndrojë. Është kapiteni ynë dhe dëshiron të fitojë me këtë fanellë. Kjo vlen më shumë se kontratat dhe klauzolat. Reali? Nuk ka ka telefonuar, por është detyra e tyre që ta bindin Ikardin që të lërë një projekt si yni, ku është protagonist. Ikardi apo Higuain? Preferoj Ikardin”.
Tashmë Interi duket pa pika të dobëta dhe Auzilio largon merkaton: “I kemi idetë të qartë, tek Interi janë të gjithë titullarë. Askush nuk është i panevojshëm, shihni Ranokian, luajti shkëlqyeshëm ndaj Kievos, ndaj nuk ka arsye që të veprojmë në janar, sepse nuk shoh ndonjë kampion të madh në treg”.