Duro: Në Gjirokastër për fitore, s’ka ndeshje të lehta

Trajneri i vlonjatëve ka vlerësim maksimal për Luftëtarin: Luan futboll të bukur dhe e respektojmë, por do të bëjmë lojën tonë për pikët maksimale

Elton Nika

Në Gjirokastër luhet sot ndeshja e javës së 13-të mes ekipit vendës dhe Flamurtarit, që kërkon të rikthehet te fitorja. Vlonjatët humbën një shans të mirë në fushën e tyre, ku barazuan me Teutën, por, nëse marrin 3 pikët sot, ngjiten përsëri në vend të dytë, pasi Kukësi u mund në Korçë. Ka vlerësim maksimal të kundërshtarit nga kuqezinjtë, pasi Luftëtarit i duhen pikë për të lënë fundin e tabelës. Kjo ndeshje duhej të luhej të shtunën, por u shty për shkak të përmbytjeve dhe motit të keq. Shpresohet që sot fusha të jetë në gjendjen e duhur. Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ka mbyllur dje përgatitjet për këtë takim, që e mendon mjaft të vështirë, duke vlerësuar Luftëtarin. Por ai thekson se Flamurtari luan vetëm për fitore.

– Profesor Duro, a është gati Flamurtari për ndeshjen me Luftëtarin, që u shty dy ditë nga moti i keq?

– E thashë edhe më parë se shtyrja ishte e nevojshme, duke parë situatën e krijuar nga përmbytjet. Pa dyshim që kështu do të ndodhte me çdo skuadër dhe me çdo fushë. Kemi pasur dy ditë më shumë kohë, sepse do të luanim ditën e shtunë. Jemi përgatitur më mirë dhe jemi gati.

– Luani me një ekip si Luftëtari dhe në transfertë. Sa e vështirë do të jetë?

– Kundërshtarin e vlerësoj maksimalisht, pasi luan futboll shumë të bukur. Ka një skuadër me lojtarë mjaft cilësorë në gjirin e vet. Mendoj se pozicioni aktual nuk është ai që i takon kësaj skuadre, ndaj kemi vlerësimin maksimal dhe kemi kërkuar që të gjithë lojtarët të tregojnë më të mirën në fushë, të japin maksimumin në çdo moment të ndeshjes. Ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të kërkojmë të marrim rezultatin pozitiv, duke e respektuar kundërshtarin.

– Deri tani Flamurtari është quajtur skuadra e transfertave. Jeni dakord me këtë konstatim?

– Nuk do ta cilësoja pikërisht kështu. Kemi marrë pikë në ndeshjet jashtë, por edhe në ndeshjet në Vlorë. Të mos harrojmë se dy takime në fushën tonë i kemi luajtur pa tifozë. Mendoj se ky kampionat është shumë i vështirë dhe nuk ka rëndësi ku luan, në fushën tënde apo në transfertë. Rezultatet janë të paparashikuara në çdo ndeshje.

– Do të ketë ndryshime në formacion?

– Mungon Siljanovski për shkak kartonësh, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është e plotë. Po do të ketë ndryshime në krahasim me ndeshjen e fundit në kampionat, pikërisht për shkak të mungesës së Siljanovskit. Gjithsesi, sa i përket formacionit do të shohim para ndeshjes. Nga Kupa mora përgjigje të mira nga futbollistë, të cilët deri tani kanë luajtur pak, por në varësi të kundërshtarit do të ketë ndryshime në formacion.

– Një fitore e mundshme në Gjirokastër ju ngjit në vend të dytë…

– Nuk e shohim renditjen, nuk e kemi parë asnjëherë gjatë këtij kampionati. Edhe para këtij takimi nuk e shohim. Rëndësi ka ndeshja e radhës dhe mendojmë vetëm për Luftëtarin, ku kërkojmë të vijojmë serinë e rezultateve pozitive. Synojmë maksimumin në këtë transfertë.

– A do të luajë Bushiç titullar?

– Bushiç është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën, por ashtu janë edhe lojtarë të tjerë. Siç e thashë më lart, luajmë me Luftëtarin dhe e vlerësojmë kundërshtarin, por do të zhvillojmë lojën tonë. Rikthimi i Bushiçit është shumë i rëndësishëm për lojën e Flamurtarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online