Në një mesjavë të zezë për ekipet shqiptare, ra në sy disfata e thellë e Luftëtarit në Letoni, ku u mund 5-0 ngaVentspils, rival i kalueshëm në letër. Në atë takim mahniti një sulmues i ri, Adeleke Akiniemi.
Nigeriani 20-vjeçar në mars të vitit 2017 firmosi për Ventspils dhe që atëherë ka shënuar 18 gola në 36 ndeshje kampionati në Letoni, 7 gola në 7 ndeshje kupe, 4 gola në 2 ndeshje në Europa League.
Interesant është fakti se Adeleke Akiniemi ka qenë pjesë e Skënderbeut, që e afroi në verën e vitit 2015, por duke mos pasur vend, e huazoi te Trepça ’89, ndërsa më vonë e la të lirë.
Si është e mundur? “SportEkspres” ka kontaktuar për këtë çështje drejtorin sportiv të Skënderbeut, Haris Fakiç, i cili natyrisht e njeh mirë futbollistin në fjalë dhe askush më mirë se ai nuk mund të hedhë dritë mbi historinë e nigerianit që mund të ishte te Skënderbeu tani.
FILLIMI – “Në atë kohë kemi qenë në play-off të Champions League dhe konkurrenca në skuadër ishte shumë e madhe, mjafton të kujtoj që kishim në ekip Salihin dhe Olajinkën, ndër të tjerë. Në ato pozita, vlerësuam që do ishte më mirë për futbollistin Adeleke që të luante rregullisht dhe për këtë arsye e çuam te Trepça ’89, klub me të cilin dihet që kemi marrëdhënie shumë të mira.
PROBLEMET – “Jo gjithçka shkoi sipas planit me këtë futbollist. Ai vendosi të kërkonte largimin, nuk dëshironte të vazhdonte më me ne dhe e lamë të lirë, pasi nuk jemi klub që i mbajmë me zor futbollistët. Gabim apo jo, kjo është historia e këtij futbollisti”.
KRAHASIMI – “Kur bëhet vlerësimi i një futbollisti, nuk shihet vetëm momenti. Ndoshta ai tani vlen shumë si futbollist dhe është një proces shumë normal, kur futbollisti gjen hapësirë që të tregojë sa vlen, rritet. Megjithatë, ne tani kemi Oto Xhon, i cili në nivelet tona ka treguar se është edhe më i mirë se Adeleke, i cili për hir të së vërtetës është duke luajtur në një kampionat ku niveli është shumë më i dobët se kampionati shqiptar”.