Ertan Hajdaraj dhe Albert Raqi janë dy nga futbollistët e ftuar nga trajneri i kombëtares U16 Elvin Beqiri. Të dy lojtarët luajnë në repartin e mesfushës dhe janë rritur jashtë Shqipërisë.
Në një prononcim për FSHF, Hajdaraj deklaroi: “Luaj në Gjermani për Borusia Mënshengladbah. Unë dhe familja ime u gëzuam shumë kur morëm vesh për ftesën në kombëtare. Idhulli im është Toni Kros sepse kam një stil loje si ai. Idhull shqiptar kam Taulant Xhakën pasi kam luajtur një herë më të në stërvitje dhe më pëlqen shumë”.
Një idhull me mbiemrin Xhaka ka dhe Albert Raqi: “Jam 15 vjeç dhe luaj futboll që prej moshës 4-vjeçare. Luaj për Totenhem. Jam i lumtur që ndodhem këtu me kombëtaren e Shqipërisë. Po ia kaloj shumë mirë me shokët e tjerë në kombëtare. Idhulli im është Ronaldinjo, ndërsa idhulli shqiptar është Granit Xhaka”.
Kombëtarja U16 vijon përgatitjet për turneun “UEFA Development 2019”, që do të zhvillohet në Slloveni më datë 3-8 prill.