Arriti të fitojë vend në formacion dhe ka bërë dy ndeshje shumë të mira ndaj Kairatit. Afrim Taku, një nga përforcimet e verës te Skënderbeu, po rezulton një lojtar me vlera, që ndihmon shumë si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Për ndeshjen e radhës me Mladën, Taku theksoi: “Natyrisht që Mlada është një skuadër e fortë dhe për ne do të jetë e vështirë, por kjo nuk do të thotë se e kemi të pamundur të marrim rezultat. Skënderbeu e ka treguar veten, ku rasti i fundit është kualifikimi ndaj Kairatit. Synimi ynë është të shkojmë në grupet e Europa League dhe do të bëjmë gjithë përpjekjet tona. Do të ishte shumë mirë, nëse do të marrim rezultat pozitiv në ndeshjen e parë”.
Taku vlerëson së tepërmi atmosferën që ka gjetur te Skënderbeu, duke nisur nga grupi i lojtarëve, drejtuesit dhe tifozët. Edhe nesër ish-lojtari i Tiranës do të jetë titullar në të djathtë të mesfushës. “Gjithçka ka shkuar mirë për mua. Nuk kam pasur asnjë problem me ambientimin, përkundrazi, ka qenë shumë e lehtë, pasi të gjithë më kanë mbështetur”, – shtoi më tej Afrim Taku.