Afrim Taku tashmë luan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por një sy e ka edhe në Shqipëri. Tirana është ekipi i tij i zemrës dhe shpreson shumë që të fitojë kundër Kastrioti. Gjithsesi mesfushori nuk ngurron ta thotë që në kampin bardheblu vazhdojnë të bëjnë gabimet e së shkuarës.
“Janë përsëritur po të njëjtat gabime si para dy vitesh. Shpresoja se do ndryshonte diçka nga eksperienca që patëm atëherë, por me sa duket në bazë të rezultateve është po e njëjta gjë. Unë besoj se profesor Mema ka bërë punë të mirë nga ana stërvitore me ekipin, sepse e njoh që kur kemi qenë tek ekipi i Skënderbeut bashkë”, thotë Taku në një intervistë të dhënë në Klan Plus në emisionin “Sport Plus”
Më tej ai shton: “Problemi te Tirana është se ka ndërhyrje nga individë të ndryshëm brenda klubit. Një minus shumë i madh është edhe situata me tifozët, që vazhdon të jete e acaruar. Mungesa e mbështetjes ndikon tek ekipi. Mendoj se tifozët janë pjesa kryesore e ekipit”. A ka zgjidhje? Sigurisht që po.
“Zgjidhja më e mirë sipas meje është bashkimi i shumë donatorëve te Tirana. Halili ka dhënë dhe po jep financat e familjes së tij për Tiranen dhe për këtë duhet ta falënderojnë. Mendoj se ka ardhur momenti që të afrohen sa më shumë donatorë që i duan të mirën Tiranës”, shtoi Taku.
PARTIZANI – Edhe pse larg, mesfushori e ka ndjekur kampionatin tonë. Partizani mori një titull të merituar, por ka diçka që Takut nuk i ka pëlqyer: “Kategorinë Superiore e kam ndjekur pothuajse rregullisht. E uroj Partizanin për titullin kampion edhe pse nuk më pëlqeu fare që e vulosi në derbi, por e kanë merituar këtë sezon. Mendoj që para dy vitesh kanë pasur ekip shumë herë më të mirë, por në atë kohë ka qenë konkurrenca më e lartë. Këtë vit ata kanë ditur të menaxhojnë në mënyrën më të mirë grupin dhe i kanë marrë ekipit më të mirën. Mendoj që si profesor Skënder Gega si trajner, ashtu dhe Olsi Rama si drejtor teknik, meritojnë titullin trajneri dhe drejtori i vitit”.
SKUADRA E TJERA – “Për ekipet e tjera mendoj që Skënderbeu e nisi mirë, por gjatë rrugës vuajti shumë mungesën e eksperiencës. Në momentin që humbën 1 apo 2 ndeshje e kishin të vështirë të dilnin nga situata. Teuta e nisi mire fazën e parë, por nuk e di çfarë ndodhi në fazën e dytë dhe lanë shumë pikë. Gjithsesi, në qoftë se Teuta arrin Kupat e Europës, atëherë quhet sezon i suksesshëm.
Flamurtarit mendoj se duhet t’i jepet një medalje e veçantë për sakrificën e bërë gjithë këto muaj pa u paguar. Rezultatet kanë qenë shumë të mira. Meritën kryesore e ka profesor Ilir Daja, i cili për mendimin tim është një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri. Ai ka ditur ta mbajë ekipin të bashkuar dhe gati për të fituar ndeshjet.
Kukësi mendoj se ka vuajtur shumë ndryshimet që u bënë me trajnerët dhe lojtarët, por me pjesëmarrjen në Kupat e Europës mendoj se mund ta quajë një sezon të shpëtuar. Laçi është aty si çdo vit, i fortë dhe gati për Kupat e Europës. Kastrioti ka bërë shumë mirë fazën e dytë dhe i ka dhënë emocion kampionatit. Në përgjithësi ka qenë një kampionat i mirë nga mënyra si është zhvilluar”përfundon Taku.