Tirana dhe Afrim Taku nuk do të “udhëtojnë më bashkë”. Futbollisti nuk ka luajtur dje si titullar kundër Skënderbeut në finalen e Kupës së Shqipërisë. Nuk bëhet i ditur cili ka qenë shkaku i uljes në stol, por duket se vendimi është marrë nga trajneri Mirel Josa.
Sinjalet e stolit u dhanë që në Shkodër, ku pati ndonjë shkëndijë, dhe trajneri mund të mos e aktivizonte në finale. Realisht ka diçka në këtë mes. Ndoshta një tjetër çështje, por askush nuk e konfirmon në kampin bardheblu. Gjithsesi, çfarëdo të ketë ndodhur pak rëndësi ka.
Tirana dhe Taku, për mënyrën sesi shkuan gjërat, duket se janë ndarë përfundimisht. Lojtari do të mbyllë karrierën tek bardheblutë dhe klubi është dakord. Në fakt sinjalet e ndarjes kanë kohë që janë dhënë, por mosaktivizimi i lojtarit në finale ka përshpejtuar ndarjen e dy palëve. Edhe marrëdhënia me Josën dhe ngjarja e para disa muajve sollën ftohjen e madhe.
Prej kohësh thuhet se Taku do të largohet në verë për në Amerikë, për të mos u kthyer më, por ndërkohë është joshur nga ofertat në Superiore dhe po mendohet. Gjithsesi, e sigurt është që nuk do të jetë te Tirana, aq më shumë pasi kjo e fundit ra në Kategorinë e Parë.
Sakrifica e vetme që mund t’i kërkojë Tirana është prania në ndeshjet në Europa League, por duhen parë shumë gjëra fillimisht, duke nisur nga trajneri.