Futbolli dhe sportet në përgjithësi duhen ndihmuar me politika. Gjithçka shpenzohet në sport i kthehet shoqërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë. Para disa kohësh u ndërmor një takim mes aktorëve të futbollit dhe qeverisë shqiptare dhe tanimë po tentohet të kalohet në gjëra konkrete.
Përveç ligjit që parashikon dënime të ashpra në sport, duhen edhe lehtësira fiskale për ata që investojnë në sport. Në kushtet kur të ardhurat që prodhon sporti janë minimale, nuk ka shpëtim tjetër. Askush nuk dëshiron të hedhë paratë e familjes së tij apo të biznesit në një “gropë të zeze”.
Së fundmi kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka pasur një takim me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. Draft-Projekti për ndryshimet ligjore që kërkohen ka qenë tema e diskutimit dhe tashmë pritet të mësohen konkretisht ndryshimet ligjore. FSHF zbulon detaje të takimit që pritet të prodhojë edhe ndryshime rrënjësore në futbollin shqiptar.
NJOFTIMI – Presidenti Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i shoqëruar nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv Bardhyl Minxhozi, zhvilloi ditën e sotme një takim me Ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. Në qendër të bisedës së zhvilluar ndërmjet tyre ishte draft-projekti për përmirësimin paketës financiare që do të ndihmojë reformimin e sportit.
Presidenti Duka diskutoi me ministren Denaj për ndryshimet ligjore në paketën financiare të propozuara nga FSHF në këtë projekt reformim. Prej disa kohësh grupet e punës kanë pasur vështirësi në gjetjen e një gjuhe të përbashkët, ç’ ka ka krijuar një lloj ndalese në vijëmësinë e procesit. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, zonja Denaj, ka shprehur gatishmërinë për përshpejtimin e kësaj reforme dhe ka ngarkuar Drejtorin e Kabinetit, z. Ervin Mete, për të ndjekur në vazhdimësi këtë proces. Ndër pikat e diskutuara ishin Ligji për Sponsorizimet, Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat dhe Ligji për TVSH-në.
Të gjitha këto ndryshime do të diskutohen në grupet e punës që janë ngritur më parë pranë Këshillit të Ministrave dhe më pas kjo paketë ligjore do të dërgohet në Komisionin e Ligjeve dhe Komisionin e Ekonomisë për të marrë miratimin përpara dërgimit në Parlament për votim.